LAJMET E MBRËMJES

Një polic serb në mesin e 16 të arrestuarve për kontrabandë me armë

Në 5 komuna në veri e jug është shtrirë aksioni i Policisë kundër kontrabandimit me armë e municion. Autoritetet bënë të ditur se janë sekuestruar armë dhe prova të tjera materiale, ndërsa janë arrestuar 16 persona, prej të cilëve edhe një polic i nacionalitetit serb

Një polic serb e 15 persona të tjerë janë arrestuar të mërkurën nga Policia, në një aksion të zhvilluar në 21 lokacione në së paku 5 komuna, në veri e jug.

Sipas njoftimit të përbashkët që kanë lëshuar Policia dhe Prokuroria në Mitrovicë, pas intervistimit masa e ndalimit për 48 orë u është caktuar 13 të dyshuarve, prej 16 qytetarëve që janë arrestuar. 

Veprat për të cilat dyshohen lidhen me e kontrabandim me armë.

“Nga ky operacion policor janë shoqëruar në Polici gjithsej 16 persona lidhur me dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘detyrim’ si dhe ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, thuhet në njoftimin e institucioneve të sigurisë e hetuesisë.

Gjatë kontrollit në këto lokacione si dëshmi janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR. 
Përveç në Mitrovicë të Jugut, Skenderaj e Vushtrri, aksioni i Policisë është shtrirë edhe në katër lokacione në veri, dy prej të cilave në Mitrovicë e nga një në Zveçan e Leposaviq. 

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se zyrtari policor i arrestuar është suspenduar nga puna. 

“Nga këto katër lokacioni e kemi një person të arrestuar. Ai është zyrtar policor, të cilin unë e kam suspenduar sipas të drejtave dhe përgjegjësive që unë i kam”, ka thënë Elshani. “Për mua është me rëndësi që ai është i dyshimtë në rastin e krimit të organizuar në të cilin është duke u hetuar dhe për këtë arsye është suspenduar, sepse është arrestuar”.

Sipas Elshanit, aksioni në komunat veriore ka kaluar pa ndonjë incident.

Në disa aksione gjatë vitit janë kapur armë në veriun e banuar kryesisht me serbë, e të cilat dyshohet se janë kontrabanduar nëpërmjet kufirit me Serbinë.

Më 28 shkurt, Policia në bashkëpunim me institucionet relevante kanë arritur të lokalizojnë dhe sekuestrojnë armatim, municion, uniforma ushtarake, uniforma të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”, pajisje për trazira e substancë të dyshuar eksplozive në fshatin Rodel të Leposaviqit.

“Si edhe në rastet tjera të ngjashme, nuk ka vend për dilemë që Serbia qëndron pas këtyre përgatitjeve dhe financimit të individëve e grupacioneve terroriste që përpiqen në çdo formë të përshkallëzojnë situatën e sigurisë në vendin tonë”, pati thënë ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla. “Në anën tjetër, po ashtu falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, sot është arrestuar një person nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit me autoritetet e Serbisë”.

Në vitet e fundit, Kosova është goditur edhe nga sulme terroriste, ai në Banjskë, si dhe në infrastrukturën kritike – kanalin e Ibër-Lepencit.