LAJMET E MBRËMJES

Një person ka vdekur nga shpërthimi në një cisternë në Pejë

Një person ka mbetur i vdekur, si pasojë e shpërthimit që ndodhi mëngjesin e së premtes në një pompë derivatesh në Pejë. Viktima dyshohet të ketë qenë i angazhuar në pastrimin e një cisterne gazi, që ndodhej jashtë objektit të pompës. 

E dyshimi është se ai ka vdekur si pasojë e goditjes së pësuar nga shtypja e madhe e ajrit, që u lirua nga cisterna. 

“Rreth orës 09:14 minuta, Policia është njoftuar se në rrugën “Tahir Zemaj” në Pejë ka shpërthyer një cisternë dhe ka persona të lënduar. Policia menjëherë ka ardhur në vendin e ngjarjes, emergjenca e zjarrfikësit dhe, në këtë rast, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e një personi. Në vendngjarje kanë dalë edhe ekipet kompetente, prokurori i shtetit për të kuptuar rrethanat se si ka ardhur deri te incidenti”, ka deklaruar Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë në Pejë. 

Në Prokurori Themelore në Pejë thanë se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit. 

“Për fatin e keq, nga ky shpërthim ka humbur jetën një person, ku ka pasur pasoja fatale në jetën e tij dhe në trupin e tij. Janë duke u kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes. Prokurori i shtetit ka lëshuar autorizimin që të vijnë ekspertë të caktuar për të përpiluar raport dhe për të kuptuar më shumë rreth rrethanave se si ka ndodhur rasti”, ka theksuar Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë. 

Në vendin e ngjarjes, pas më shumë se tri orësh nga ngjarja, kanë arritur ekipet e mjekësisë ligjore, që me urdhër të Prokurorit e bënë tërheqjen e trupit të 45-vjeçarit të vdekur, për obduksion.

Siç ka mësuar KOHA, deri në pasditen e së premtes nuk ka pasur persona të shoqëruar lidhur me rastin.

KOHA ka kontaktuar nëpërmjet telefonit edhe me drejtorin menaxhues të biznesit, ku ndodhi shpërthimi, por ai ka thënë të mos jetë në gjendje që të prononcohet rreth rastit.