LAJMET E MBRËMJES

Një muaj paraburgim të dyshuarit për sulm ndaj policisë dhe KFOR-it në Zveçan

Slobodan Miletiq, i dyshuar për sulm ndaj policisë dhe KFOR-it më 29 maj të vitit të shkuar në Zveçan, është paraqitur të dielën para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim prej një muaji. Ndaj tij rëndojnë katër vepra penale

Një muaj paraburgim i është caktuar Slobodan Miletiqit, nën dyshimin për sulm ndaj policëve të Kosovës e ushtarëve të KFOR-it gjatë protestës së 29 majit të vitit të kaluar në Zveçan.

Ai u arrestua të premten në pikën kufitare në Jarinjë, e të dielën u nxor para Gjykatës Themelore në Prishtinë në seancën dëgjimore, ku edhe iu caktua masa e paraburgimit.

Në njoftimin e Gjykatës, si arsye përmendet edhe rreziku i arratisjes së Miletiqit, meqë është edhe shtetas i Serbisë. Veprat penale për të cilat dyshohet janë katër: bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale - huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar.

“Duke përdorur shkumë ka tentuar të bëjë bllokimin e ventilimit të veturës së Policisë në të cilën në ato momente gjendeshin të ngujuar brenda në veturë zyrtarë policorë, e qëllimi i të pandehurit ka qenë që këtyre zyrtarëve policorë t’u ndalet furnizimi me oksigjen, duke rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pas seancës, në oborrin e Gjykatës, Miletiqin e pritën familjarët, të cilët  e shfrytëzuan rastin ta përqafonin.

E pasi u fut në makinë për t’u dërguar në Qendrën e Paraburgimit, avokatja e tij, Jelena Krivokapiq, u deklarua për media. Ajo tha se kërkesën për paraburgim nuk e ka pranuar në gjuhën serbe dhe ka paralajmëruar ta apelojë vendimin e Gjykatës të hënën në mëngjes.

“Pak a shumë e di çfarë ka në arsyetim, pasi gjykatësi në seancë e ka thënë, edhe pse mua nuk ishin në gjendje të më ofronin çfarëdo dëshmie, pos një fotografie ku nuk shihet asgjë. Sipas tyre, ata kanë dëshmi, porse në këtë fazë nuk mund të m’i japin. Por jam dakorduar me prokurorin special që javën e ardhshme të vijë personalisht tek ai dhe se do të m’i jap të gjitha dëshmitë që prokuroria i posedon”, ka thënë Krivokapiq.

Në shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Radosh Petroviqin dhe Dushan Obrenoviqin, pasi e pranuan fajësinë për protestat e dhunshme.

Protestat e vitit të shkuar në katër komunat veriore të Kosovës u mbajtën për të kundërshtuar futjen e kryetarëve të rinj në objektet kryesore komunale.

Në këto protesta u lënduan policë, pjesëtarë të KFOR-it e gazetarë.

Në fakt, protestat zgjatën disa javë, por ato të 29 majit, sidomos ajo në Zveçan, ishin më të dhunshmet. Në Zveçan u lënduan rreth 100 ushtarë të KFOR-it, e për dy prej tyre është raportuar se kanë humbur këmbët shkaku i lëndimeve.