LAJMET E MBRËMJES

Një muaj paraburgim serbes së dyshuar për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Jelena Gjukanoviqit, të dyshuarës për spiunazh që u arrestua para dy ditësh në pikën kufitare në Jarinjë. Gjykata ka konstatuar se ekziston rreziku i ikjes së të pandehurës apo edhe i ndikimit në prova po qe se ajo lihet e lirë

Jelena Gjukanoviqit, e dyshuar për veprën penale spiunazh, i janë caktuar të dielën 30 ditë paraburgim.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Arben Hoti, ka vlerësuar se banorja e veriut të vendit me kombësi serbe, do të mund të arratisej me lehtësi nëse do të lihej e lirë.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse e pandehura lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, mund lehtë të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale. Gjykata po ashtu vlerësoi se nëse e pandehura lihet në liri, e njëjta mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprën e njëjtë penale ose mund të kryejnë sërish vepra të tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjykata vlerësoi po ashtu se paraburgimi si masë përputhet me veprën e rëndë penale për të cilën dyshohet Gjukanoviq.

“Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, thuhet tutje në vendim.

Prokuroria Speciale njoftoi se më 28 shkurt ka arrestuar të pandehurën që dyshohet për spiunazh në bashkëkryerje.

Komunikata e Prokurorisë i referohet paragrafit 3 të nenit 124 të Kodit Penal të Kosovës që flet për spiunazhin ku thuhet se “Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim”.

Gjukanoviq, siç kanë thënë burime të KOHËS, ka punuar për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

E një zyrtari të OSBE-së dhe njërit të EULEX-it iu lejua monitorimi i dëgjimit gjyqësor të dielën përderisa rasti është ende në hetim.

Burime të KOHËS thanë se ata janë pajtuar për t’i mbajtur konfidenciale të gjitha informatat që lidhen me rastin.

Krahas rastit të Gjukanoviqit, edhe tre persona të tjerë po dyshohen për spiunazh kundër Kosovës e në favor të Serbisë.

Njëri nga të dyshuarit është Aleksandar Vllajiq, i cili është po ashtu i akuzuar për sulmin terrorist të 2022-tës në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.

Ndaj dy të tjerëve, Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë muajin e kaluar.

Prokuroria Speciale pretendon se Shabani ka çuar informata te Agjencia për Inteligjencë të Sigurisë të Serbisë lidhur me UÇK-në, e Qerimi ka dërguar informata në BIA lidhur me atë se kush i mban cilat pozita në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Policinë e Kosovës e Inspektoratin Policor.