Drejtimi i gabuar i automjetit të Policisë dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me fatalitet në rrugën rajonale Pejë-Mitrovicë, në të cilin vdiqën tre persona dhe pesë të tjerë u lënduan. Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se bazuar në hetimet fillestare, aksidenti në fshatin Çubrel, ka ndodhur si rezultat i mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë
Dyshimi i parë për faktorin që e shkaktoi aksidentin me fatalitet në fshatin e Skenderajt, Çubrel, të dielën mbrëma, është mospërshtatja e shpejtësisë nga automjeti zyrtar i Policisë.
Në aksidentin mes një veture të Policisë dhe një civile, vdiqën tre qytetarë të Pejës, ndërkohë u lënduan edhe pesë të tjerë.
Inspektorati i Policisë bazuar në hetimet fillestare, të hënën ka nxjerrë përfundimin se polici që drejtoi automjetin zyrtar nuk u është përshtatur kushteve të rrugës dhe ka kaluar në shiritin e kundërt, duke e goditur veturën civile.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore, dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë, i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile. Si pasojë e aksidentit, tre persona (të cilët kanë qenë në veturën civile) një mashkull dhe dy femra fatkeqësisht kanë ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, masë të cilën do ta mbajë në spital, për shkak se është duke u trajtuar pas lëndimeve që ka marrë në aksident.
Për lëndimet e pësuara në këtë aksident, në QKUK ka marrë trajtim mjekësor edhe një fëmijë 14-vjeçar dhe tre zyrtarë të tjerë policorë.
Sipas mjekes kujdestare, Vlora Podvorica, fëmija dhe një zyrtar policor janë liruar për në shtëpi, ndërsa tre të tjerë janë ende të hospitalizuar.
Ajo ka thënë se gjendja e tyre është stabile.
“Dy janë hospitalizuar në Klinikën e Ortopedisë – njëri për trajtim konzervativ por me përcjellje dhe i dyti, i cili ka një traumë më të madhe në kofshë dhe planifikohet ndërhyrja kirurgjike, potencialisht nesër. Po ashtu, gjatë mbrëmjes kemi bërë edhe një ndërhyrje kirurgjike të një paciente tjetër e cila ka pasur një frakturë të hapur të kërcirit mirëpo për shkak të lëndimit në tru ajo është ende nën përcjelljen e neurokirurgëve në Reanimacion”, ka thënë Podvorica.
Për aksidentin, të hënën kanë reaguar kryeministri Albin Kurti dhe drejtues të institucioneve qendrore e komunale.
Kurti i ka shprehur ngushëllime familjes Gashi nga Peja, duke premtuar zbardhjen e shpejtë të rastit.
Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre, e njëkohësisht uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti. Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë”, ka shkruar Kurti.
Ngushëllime kanë shprehur edhe liderë të tjerë institucionalë e partiakë.