Pasditen e së mërkurës ka nisur numërimi i votave të hedhura në 30 përfaqësi diplomatike. Sipas KQZ-së, përfundimi i numërimit të mbi 15 mijë votave i paraprin atij të votave që janë dërguar me postë.
18 ditë pas mbajtjes së votimit, që ndodhi të shtunën e 8 shkurtit në përfaqësi diplomatike, janë hapur kutitë me vota të shtetasve që jetojnë jashtë Kosovës.
Në 11 tavolina të vendosura në një pjesë të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, nisi numërimi i 15 mijë e 352 votave.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se pas përfundimit të këtij grupi votash do të fillohet me numërimin e atyre që janë dërguar me postë.
“Sipas të dhënave, pas procesit të vlerësimit, janë aprovuar më shumë se 63 mijë zarfe të supozuara me fletëvotime që do të numërohen. Dhe pasi të përfundojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, në proces të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi me kusht, i cili është zhvilluar në 56 vendvotime dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta”, deklaroi Elezi.
Elezi theksoi se brenda një kohe të shkurtër edhe rezultatet e votave nga përfaqësitë diplomatike do të publikohen në platformën elektronike të KQZ-së.
Votimi nëpër përfaqësi diplomatike është zhvilluar për herë të parë, meqë atë e mundësuan ndryshimet që iu bënë Ligjit për Zgjedhje.
Ky proces është mbajtur në 16 ambasada e 14 konsullata në 19 shtete.