LAJMET E MBRËMJES

Nis hetimi për projektin milionësh jofunksional për digjitalizimin e arsimit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka filluar hetimet për kontratën e nënshkruar para 11 vjetësh mes shtetit të Kosovës dhe një kompanie austriake për digjitalizimin e arsimit. Zhvillimin e hetimeve nga organet e rendit për projektin që nuk është funksionalizuar asnjëherë, e kanë mirëpritur deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo që e nënshkroi kontratën në vitin 2013 sa ishte në pushtet

Kontrata e nënshkruar para 11 vjetësh mes Ministrisë së Arsimit dhe një kompanie austriake për digjitalizimin e arsimit, ishte kryetemë në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të martën.
Në komision është diskutuar raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për kontratën që do t’i kushtojë shtetit 5.6 milionë euro, që edhe tash nuk është e funksionalizuar.

Në raportim ishte edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka theksuar se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet për këtë kontratë.

“Me një shkresë që e kemi pranuar 24.06.2024, tashmë jemi të njoftuar se është duke u punuar në këtë drejtim, për shkak se Prokuroria Speciale ka dërguar një kërkesë për grumbullimin e informatave shtesë në lidhje me lëndën e cila po trajtohet edhe sot këtu. Sigurisht është shumë shqetësuese kjo, dhe gjithë ajo që ne kemi mundur të bëjmë unë si ministre së bashku me kabinetin tim është që të auditohet projekti dhe t’u dërgohet organeve të rendit”, ka thënë ajo. 

Zhvillimin e hetimeve nga organet e rendit, thanë se e mirëpresin edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, që ishin në pushtet në periudhën kur u nënshkrua kontrata nga ministri i atëhershëm Ramë Buja.

Në raportin e Auditorit, është theksuar se ka mungesë të dokumenteve në Ministri Arsimit për marrëveshjen e ratifikuar në Kuvend në vitin 2014. Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se kjo do t’i pengojë hetimet.

“Çka mundet me bë një prokuror kur shkon edhe e sheh që s’janë dokumentet. Për mua nuk është absolutisht e rëndësishme kush ka qenë duke punuar atëherë, nëse ka bërë keqpërdorime janë goxha disa institucione korrigjuese që janë për ta, që s’ka hapësirë ka hala tjera duke u ndërtua, qoftë atëherë qoftë tash, unë nuk e kam atë problem, a është PDK a LDK,  LVV, nuk më intereson”, ka thënë ai. 

Kontrata e parasheh zhvillimin e mësimit elektronik dhe digjitalizimin e provimit të maturës. Por qasje në platformën që do ta jetësonte projektin, është thënë se Ministria për herë të fundit pati më 2020, kur ministre e Arsimit ishte kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami.

“Unë kërkova prej ministrisë qasje, thanë që nuk i kanë kodet burimore dhe është ftuar operatori, d.m.th ajo nuk është letër e pranimit të projektit, nuk është raport teknik, nuk është raport i komisionit, thjesht kemi kërkuar kodet burimore  në mënyrë që të kemi qasje për të cilin ministria kishte paguar”, ka thënë Bajrami. 

Marrëveshja për të cilin Kosova do të paguajë kredi në UniCredit Bank Austria deri më 2032, synonte zhvillimin e mësimit elektronik dhe digjitalizimin e provimit të maturës. 

Për këtë projekt, të cilën ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ishte mbikëqyrëse për një periudhë, është hapur tender në vitin 2022 për angazhimin e dy ekspertëve për auditim. Por ai ishte anuluar me arsyetimin se kanë aplikuar kompanitë dhe jo individët.

E dy vjet më vonë, Zyra Kombëtare e Auditorit ka nxjerr një raport të performancës së projektit. Në raportin e publikuar në prill të këtij viti, është thënë se sistemi i zhvilluar nuk ka arritur të zbatohet në shkolla për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme dhe qasjes në rrjet për përdoruesit.
“Ky projekt i financiar plotësisht nga huamarrja është realizuar pa planifikim paraprak i cili është përcjellë me mangësi gjatë zhvillimit që kanë ndikuar në mos arritjen e qëllimit dhe përmbushjes së misionit të organizatës”, thuhet në raport.

Prej vitit 2014 deri në vitin 2023 për këtë projekt, Qeveria e Kosovës ka paguar vlerën prej 740,945 eurosh në emër të kryegjësë, interesit dhe tarifave sipas marrëveshjes.

Digjitalizimi i arsimit është pjesë e objektivave të “Strategjisë së Arsimit 2022-2026”, e cila është udhërrëfyes për ngritjen e cilësisë në sektorin e edukimit. 

Deri tash, Ministria e Arsimit nuk ka arritur të zhvillojë një platformë unifikuese për të gjitha shkollat.