Periudha njëmujore e votimit nëpërmjet postës ka nisur të enjten për të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit e të cilët janë regjistruar për këtë proces. Janë rreth 85 mijë që kanë zgjedhur të votojnë me postë teksa mbi 20 mijë kanë vendosur që votën ta japin fizikisht nëpër ambasada e konsullata më 8 shkurt, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë
Ka nisur të enjten procesi i votimit nëpërmjet postës për shtetasit e Kosovës të regjistruar jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se për ta ushtruar të drejtën e votës me anë të postës janë regjistruar gjithsej 84.525 votues, të cilët do të kenë afat një muaj për ta kryer këtë proces.
“Kjo periudhë 31-ditore do të përfundojë më 8 shkurt 2025, do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës për të votuar përmes postës, qoftë duke dërguar pako me fletëvotim në adresë të kutisë postare të KQZ-së në Kosovë, apo duke dërguar pako me fletëvotim në adresë të ndonjërës nga kutit postare të KQZ-së, të cilat janë hapur jashtë Kosovës”, ka thënë ai.
Elezi ka theksuar se në diasporë janë gjithashtu edhe mbi 20 mijë të regjistruar, të cilët janë përcaktuar që të votojnë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
“Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës është 104,924, prej të cilëve 20,399 janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ndërkaq 17,104 shtetas të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 67,421 për të dërguar pakon me fletëvotim në një nga kutitë postare të KQZ-së të hapura jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.
Votimi nëpër përfaqësi diplomatike do të bëhet më 8 shkurt, një ditë para votimit në Kosovë, dhe për këtë synim në dispozicion janë vënë 17 ambasada dhe 15 konsullata në 19 shtete të ndryshme të botës.
Por i gjithë procesi është kritikuar nga Eugen Cakolli, menaxher i Programeve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), i cili ka shprehur vërejtjen për mungesë të transparencës.
“Në raport me votimin jashtë vendit, ky proces është deri diku transparent. Kjo për arsye se ende nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për të garantuar që vota e personit në fjalë, duke e ditur se është formë alternative e votimit, por që unë konsideroj që të paktën ka më shumë mekanizma sesa që ka pasur në të kaluarën dhe rastet nga zgjedhjet e kaluara kanë ngritur njëfarë vetëdije edhe në mesin e votuesve por edhe manipulimeve potenciale që të njëjtat të mos përsëriten”, ka thënë ai për KOHËN.
Numri i përgjithshëm i votuesve për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit është 2 milionë e 75 mijë e 868, brenda dhe jashtë Kosovës.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë për Kuvend.