Mesatarisht 16.1 për qind do të paguajnë më shtrenjtë qytetarët për energjinë elektrike, të cilën e shpenzojnë. Përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji, të cilët përgjatë katër vjetëve tri herë e kanë shtrenjtuar energjinë, e kanë justifikuar vendimin e së premtes dhe nuk kanë marrë për bazë komentet e konsumatorëve dhe as të Presidencës
Nga 1 maji, faturat e energjisë elektrike do të rriten mesatarisht për 16.1 për qind.
Vendimin e ka marrë të premten Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila ka shpërfillur komentet e konsumatorëve e edhe të Presidencës, të cilët kanë kërkuar që të mos ketë rritje dhe kanë shprehur drojën se kjo do të nxisë një valë të re inflacioni.
Struktura e re tarifore është paralajmëruar që të miratohet javën e ardhshme, kur pritet të qartësohet edhe sa bllok-tarifa do të ketë dhe se sa do të jetë çmimi për tarifën më të lartë dhe për atë më të ulët.
Gjatë mbledhjes së Bordit të ZRRE-së nuk është treguar se sa do të jetë rritja e çmimit të rrymës, porse janë publikuar vetëm shifrat e të hyrave maksimale dhe të cilat janë më të larta sesa në vitin 2024.
Ani se të hyrat maksimale të aprovuara për KESCO-n janë 435.9 milionë euro apo rreth 10 milionë më pak se sa në vitin 2024, rritje ka pasur tek të hyrat për KEDS-in dhe për KOSTT-in. Të hyrat e aprovuara për KEDS-in janë rreth 60 milionë më shumë se sa vitin paraprak, përkatësisht 180.6 milionë euro. Rritje prej 10.7 milionë pati edhe tek të hyrat e KOSTT-it, mbi 88 milionë euro.
E kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, është krenuar se pas vlerësimeve nga stafi është arritur të zbriten të hyrat e lejuara për këta operatorë.
“Është mirë me e potencu se pjesa e OSSH-së, pjesa e KEDS-it ka qenë 214 milionë euro, mirëpo pas vlerësimit nga ana e ZRRE-së kjo kërkesë është zbritur nga 214 milionë euro në 180 milionë… Kërkesa (KESCO) ka qenë rreth 447 milionë euro, por pas vlerësimit të stafit në këtë proces kemi ardhur në vlerën e 435 milionë euro”, ka thënë ai.
Edhe drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, e ka justifikuar rritjen, duke listuar katër shkaktarë me ndikim në rritjen e kostos së shërbimit të energjisë elektrike.
“Janë ndryshimet në koston e blerjes të energjisë elektrike nga furnizuesi me shërbim universal. Ndryshimet me kostos së blerjes së energjisë nga operatori i sistemit të shpërndarjes. Parashikimi i çmimeve të energjisë nga importi për vitin 2025 dhe parashikimi për koston e shërbimeve ndihmëse për operatorin e sistemit të transmetimit. Në vlerësimet për vitin 2025 është parashikuar edhe import duke pasur parasysh se njësit gjeneruese janë në planifikim të mirëmbajtjes”, ka theksuar ai.
Pas miratimit të të hyrave, Bordi i ZRRE-së ka kërkuar nga gazetarët që ta lirojnë sallën për të vazhduar me shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve. Gazetarët nuk janë lejuar të shtrojnë as pyetje, pavarësisht insistimit.
“S’ka pyetje. Ju përgjigjemi me shkrim. I kisha lutur të gjitha mediat me na mirëkuptua, pasi kalojmë në seancë të mbyllur dhe vazhdojmë me pika të tjera të rendit të ditës”, ka thënë kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Fejzullahu.
ZRRE-ja fillimisht ka propozuar që rritja të jetë rreth 15 për qind, por përqindja është ngritur të premten. Ndërkaq, përgjatë katër vjetëve, edhe dy herë të tjera energjia është shtrenjtuar.
E derisa ZRRE-ja i ka shqyrtuar të hyrat maksimale për operatorët e sistemit, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë nëpërmjet një konferencë për shtyp i kanë bërë thirrje këtij institucioni që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike.
Drejtori i kësaj Dhome, Kushtrim Ahmeti, ka vlerësuar se rritja e çmimit të rrymës i vë në rrezik vendet e punës teksa ka thënë se bizneset dhe qytetarët nuk duhet që të paguajnë për dështimet e institucioneve.
Vendimi i ZRRE-së ka nxitur reagim edhe nga përfaqësues të partive që deri më tani kanë qenë në opozitë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka cilësuar këtë vendim si një tjetër goditje për qytetarët dhe favor i hapur për “klikën mafioze të lidhur me pushtetin aktual”. Ai ka theksuar se ZRRE-ja është shndërruar në një instrument në duart e Qeverisë Kurti dhe se nuk vepron më në interes të konsumatorit.
“Sot ka konfirmuar se është bërë mekanizëm për të justifikuar vjedhjen dhe keqpërdorimin në tregun e energjisë. Aferat me shitblerjen e rrymës nuk janë më vetëm dyshime – për to tashmë ka të dyshuar konkretë, njerëz të afërt me kryeministrin. Ata që janë zhytur në këto afera do të japin llogari para drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
E deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se porsa të konstituohet Kuvendi grupi parlamentar i partisë së saj do të thërrasë në raportim bordin e ZRRE-së.
“Do të kërkojmë që urgjentisht ky bord ta revokojë vendimin e sotshëm për rritjen e çmimit të energjisë prej 16%. Do të diskutojmë në komisione dhe në seancë, ku do të paraqesim rezolutë për shkarkimin e bordit të ZRRE-së. Nëse në këtë legjislaturë ka deputetë që përfaqësojnë interesin e qytetarëve, atëherë do ta shkarkojmë bordin aktual”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka paralajmëruar që në rast se ky bord i ZRRE-së nuk e shfuqizon vendimin, atëherë këtë do ta bëjë “bordi i ri, pa asnjë dyshim”.
“ZRRE-ja duhet të ketë një bord profesional dhe transparent, që publikon pasqyrat financiare (fitimet) të KEDS-it dhe KESCO-s. Kuvendi gjithashtu duhet të ketë raport të saktë për tregtinë me energji, por edhe për investimet që KEDS-i është i obliguar t’i bëjë në rrjet, sipas kontratës”, ka shkruar Bajrami.