Në Mitrovicë të Veriut e Graçanicë, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione të ndryshme. Derisa ai në veri ka të bëjë me funksionimin në mënyrë ilegale të një institucioni, në Graçanicë dy zyrtarë komunalë u arrestuan me dyshimin për korrupsion
Një flamur i Serbisë është larguar të enjten nga Policia e Kosovës në hyrjen e njërës nga ndërtesat te “Tre rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut.
Heqja e tij e vendosja e shiritave të sigurisë shënoi përmbylljen e aksionit të Policisë në një pronë komunale, që dyshohet se është uzurpuar e përdorur për funksionimin e strukturave paralele të Serbisë.
Sipas Policisë, në këtë ndërtesë dyshohet se kanë funksionuar dy ndërmarrje publike. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me inspektorët komunalë të Mitrovicës së Veriut.
“Në momentin e hyrjes në këtë objekt, Policia ka biseduar me disa persona të cilët na kanë treguar se aty janë punonjës të një institucioni që në pamje të parë duket të jetë ilegal. Pas verifikimit të disa dokumenteve ne e kemi njoftuar prokurorinë e Mitrovicës dhe kemi hapur rast me dyshimin për falsifikim të dokumenteve. Punëtorët janë lejuar me i marrë gjërat personale dhe janë larguar nga aty, ndërsa janë vendosur edhe shiritat. Nuk ka persona të arrestuar, ndërsa policia do të verifikojë dokumentacionin që gjendet aty në detaje”, ka thënë ai.
Hetimin e veprimtarisë së këtij institucioni e ka paralajmëruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka publikuar pamje nga aksioni i Policisë, e në të cilat mes tjerash përveç dokumenteve të shumta shihen emblema të Serbisë e një fotografi e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Sipas materialeve të siguruara nga Policia jonë, bëhet fjalë për një institucion i cili jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre. Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveçqë është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, ka thënë ai.
Të enjten, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksion edhe në Komunën e Graçanicë, nga i cili për intervistim janë shoqëruar dy persona të dyshuar.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka realizuar një operacion policor në Komunën e Graçanicës. Ky operacion policor, deri më tani ka rezultuar me shoqërimin e dy personave të dyshuar për intervistim dhe procedura të mëtejme policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në një deklarim për media, kryetarja e kësaj komune, Liljana Subariq, ka thënë se zyrtarët janë të dyshuar për korrupsion.
“E mira është se me këtë hetim dhe arrestim nuk u vu në pikëpyetje as puna e menaxhmentit komunal e as menaxhmentit të Drejtorisë së Kadastrës. Është veprim individual i zyrtarëve. Janë ndaluar, do të ketë hetim. Nuk do të donim të spekulonim për procedura të mëtejshme. Kur të marrim më shumë informacione do të informoheni”, ka thënë ajo.
Aksioni i Policisë së Kosovës është përcjellë edhe nga pjesëtarë të misionit të EULEX-it dhe KFOR-it. Kohëve të fundit, Policia e Prokuroria e Kosovës kanë mbyllur disa institucione paralele serbe, gjithandej Kosovës, veçanërisht në veri.