Ende pa përfunduar takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ky i fundit është përkujdesur t’i thërrasë për një takim serbët e Kosovës.
Sipas mediave serbe, Vuçiq ka ftuar serbët e Kosovës në një takim këtë të diele, i cili do të mbahet në orën 11 në pallatin “Serbia” në Beograd.
Në takim janë ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova, liderët e Listës Serbe.
E ditën kur në Bruksel dy liderët po takoheshin me ndërmjetësimin e BE-së, në veri të Mitrovicës janë shfaqur mbishkrime në alfabetin cirilik dhe ngjyrat e flamurit të Serbisë.
“S’ka dorëzim!”, “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu – Brigada e Veriut” janë disa nga grafitet që janë vendosur në shëtitoren e Mitrovicës veriore, në muret e ndërtesave, si dhe në trotuarin e rrugës kryesore.
Takimi mes Kurtit e Vuçiqit, i cili u zhvillua me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, këtë të enjte përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Por ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk do të kthehen nga Brukseli pa nënshkruar një ujdi, qoftë edhe të pjesshme.
“Marrëveshje të shpejtë nuk mund të ketë. Mendoj që interesimi i vendeve perëndimorë ekziston dhe ShBA-së që të kemi një proces të përshpejtuar të dialogut dhe të arrijmë një marrëveshje. Kjo varet edhe prej nivelit të përfshirjes së SHBA-së. Nëse SHBA-ja është e përfshirë në dialog, mendoj që gjasat janë që të arrijmë më shpejt, nëse jo, nuk shoh një përparim të shpejtë në dialog”, tha Ymeri.
Pas takimit ka reaguar ish i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Ai ka thënë se Kurti ka hedhur poshtë çdo ide që presidentët amerikanë ia kanë dhënë Kosovës.
“Rikujtim, Albin Kurti ka hedhur poshtë çdo ide që presidentët amerikanë ia kanë dhënë Kosovës. Të dy presidentët, ai demokrat dhe ai republikan. Ky është vetëm një fakt”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i ekzekutivit për vendosjen e reciprocitetit në targa dhe letërnjoftim, por që ai po vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.