LAJMET E MBRËMJES

Në veri e ftojnë “komandant Vuçiqin”, Sveçla kërcënon me arrestimin e tij nëse futet në Kosovë pa leje

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se autoritetet kanë hapur rast për "nxitje të urrejtjes". Në posterë me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet: “komandant suprem, po të presim”. Ministri Xhelal Sveçla ka thënë se Vuçiqi do të arrestohet, po u fut pa leje në Kosovë. Nga Qeveria e Serbisë kanë thënë se Sveçla “vetëm mund të mburret në rrjete sociale”

Në veri të Kosovës të dielën janë shfaqur posterë me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”.

Posterë të tillë janë hasur në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se autoritetet kanë hapur rast për "nxitje të urrejtjes".

“Në disa lokacione në katër komunat në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me fotografinë e kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hapur rasti për nxitje të urrejtjes”, ka thënë Elshani.

Aktualisht, sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterëve, por "policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit".

E, sa i përket situatës së sigurisë në veri, Elshani ka thënë se është e mirë.

Gjatë ditës, zyrtarët policorë në Mitrovicë të Veriut janë parë duke i larguar këta posterë.

Në një reagim për këtë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se nëse lideri serb futet në Kosovë, pa marrë leje nga institucionet e vendit, do të arrestohet.

“Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka ironizuar me Sveçlën.

“Fillimisht, Kurti nuk u ul në tryezën e bisedimeve me Vuçiqin. Tash, Sveçla po i frikësohet edhe një posteri me imazhin e Aleksandar Vuçiqit që dikush e ka vendosur, prandaj kërcënon me arrestim. E vetmja gjë që mund të bëjë është të mburret në rrjetet sociale”, ka shkruar Petkoviq në rrjetin social “X”, të dielën.

Në fakt, posterë e grafite provokuese janë shfaqur edhe më parë në veri të vendit.

Shfaqja e këtyre posterëve në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, nisën mandatin.

Tensionet u rritën edhe më shumë në shtator, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Prishtina ka kërkuar nga Beogradi që t’ia dorëzojë Radoiçiqin dhe grupin e tij autoriteteve gjyqësore të Kosovës. Këtë kërkesë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e bëri edhe gjatë rundit të fundit të dialogut – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – më 26 qershor. BE-ja njoftoi se kjo ishte një prej tri kushteve që Kosova ka vendosur për angazhimin e saj në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.