LAJMET E MBRËMJES

Në pritje të votimit në Asamble, krerë e përfaqësues institucionalë optimistë për suksesin

Votim të suksesshëm presin krerë e përfaqësues institucionalë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në këtë institucion, që nga ora 17:00, është duke u diskutuar për raportin e raportueses Dora Bakoyanis. Që të kalohet me sukses faza e parafundit drejt anëtarësimit në këtë institucion, pro raportit të Bakoyannis duhet të votojnë 2/3 e anëtarëve.

Peng i pritjes së votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës janë të gjithë krerët e përfaqësuesit institucionalë.

Derisa në këtë institucion është zhvilluar një debat i gjatë për raportin e Dora Bakoyanis, që rekomandon anëtarësimin në Këshillin e Evropës, delegacionin në Francë e mban shpresa se Kosova do të kalojë me sukses fazën e parafundit. 

Drejt sigurimit të votave të mjaftueshme është bërë punë e madhe, thotë Besnik Tahiri, deputet i AAK-së, pjesë e delegacionit të Kosovës në Strasburg.

“E dimë që disa vende janë skeptike, deputetë nga Spanja, Hungaria, mirëpo edhe disa deputetë nga delegacioni italian, delegacioni turk është në përbërje të plotë, gjerman e francez… Disa prej ukrainasve do të votojnë për disa nuk do të marrin pjesë, jemi kogjo me bindje që do të kalojë, një lloj e një beteje që duhet të fitohet na ka kaplu të gjithëve”, tha Tahiri. 

E sipas zv.ministrit të Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, delegacioni i Kosovës ka punuar me secilin prej delegatëve të Asamblesë që të sigurojë votat e mjaftueshme.

“Kishim tri raportuese që bënë vizita faktmbledhëse dhe konsoliduan raportin e zonjës Bakoyannis, e cila rekomandon anëtarësimin pa parakushte të Kosovës, si shtet evropian, nëpërmjet nenit 4 të statutit të Këshillit të Evropës, dhe pa fusnotë, denominimin e Kosovës. Është porosi për Komitetin e Ministrave. Nuk shoh arsye që të vonohet, të shtyhet apo të kundërshtohet anëtarësimi i Kosovës në muajin maj”, tha Ahmeti. 

Vendim pozitiv nga Asambleja e Këshillit të Evropës presin edhe krerët e institucioneve në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vota për anëtarësimin e delegatëve pro anëtarësimit të Kosovës është mesazh i përkushtimit të tyre ndaj demokracisë e të drejtave të njeriut.

“Sot, anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u jepet mundësia të dërgojnë një mesazh të fuqishëm se Evropa qëndron e fortë në përkushtimin e saj ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut! Secili që beson vërtet në një të ardhme që mbështet këto vlera do të votojë në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Osmani. 

Optimist është edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Nga të gjitha këto takime që i kam pasur në Këshill të Evropës, atmosfera dhe disponimi i grupeve parlamentare, deputetëve të Këshillit të Evropës gjithmonë ka qenë në mbi dy të tretat për të mbështetur Kosovën që me u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Këtë e them nga përvoja dhe takimet që kam pasur. Unë sot jam shumë optimist se Kosova do të kalojë këtë hapin e dytë të madh pastaj mbetet edhe i treti, siç e thatë edhe ju takimi i ministrave të punëve të jashtme që mblidhen një herë në vit", tha Konjufca. 

Për raportin e Dora Bakoyaniis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të votojnë 2/3 e anëtarëve prezentë të Asamblesë Parlamentare.
Ky votim është hapi i parafundit i anëtarësimit të Kosovës. Pas tij një votim pozitiv duhet të bëhet për raportin edhe në Komitetin e Ministrave, takim që mbahet më 16 dhe 14 maj.