Në vendin ku për herë te parë u përballën me grupin që sulmoi Banjskën dhe e vrau rreshterin Afrim Bunjaku, u kthyen dy zyrtarët policorë: Alban Rashiti e Mirsad Kryeziu. Ata morën pjesë në përurimin e rrugës që nga e hëna do ta mbajë emrin e heroit të Kosovës. Një vit nga sulmi, fshati Banjskë ka pamje tjetër.
Në vend nderimi është kthyer fshati Banjskë një vit pasi pa terrorin me sy.
Rrugët që një vit më parë ishin të paqasshme shkaku i asaj që zhvillohej brenda fshatit, më 24 shtator u përshkuan nga dhjetëra vetura e po aq zyrtarë politikë e policorë.
Në pothuajse çdo cep të tyre, kishte njësite të Policisë së Kosovës.
Në vendin ku u zhvillua beteja për shtet e sovranitet, u nderua rreshteri Afrim Bunjaku e u falënderuan zyrtarët që penguan grupin terrorist e dështuan planin e tyre: atë të aneksimit të Kosovës.
Në hyrje të urës ku nisi gjithçka u vendos pllaka me emrin e Bunjakut, me të cilin u emërua rruga që të shpien në Banjskën e Zveçanit.
Një vit pas, te ura ku u sulmuan nga grupi terrorist për herë te parë dhe e humbën kolegun e tyre, u kthyen dy zyrtarët policorë.
Thanë se kanë bërë gjithçka në mbrojtje të territorit e sigurisë së Kosovës.
“Kemi arritur që t`i bëjmë të gjitha lëvizjet në mënyrë që Afrimi të mos mbetet këtu dhe ashtu ia kemi dalë. Normalisht është plagosur edhe kolegu Albani gjatë asaj ofensive, mirëpo ata nuk kanë arritur asnjëherë që t`i zbatojnë dhe t`i kontrollojnë ato planet e veta që kanë pasur”, tha polici Mirsad Kryeziu.
“Ka qenë ditë normale, mbrëmje normale, kemi parë diçka që është e parregullt, bllokim, kamionët, aty kanë filluar sulmet… Janë ato përkujtimet që kthehen në kohë, por gjithçka vazhdon, kjo është puna jonë. Ne jemi këtu”, tha polici Alban Rashiti.
Fjalë lavdie për ta e heroin Bunjaku kishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Tha se përgjegjëse për sulmin është Serbia dhe ajo duhet të mbajë përgjegjësi, gjë për të cilën kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve.
“Plani ishte që të ndahet Kosova, plani ishte që të aneksohet një pjesë e territorit dhe rënia e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, përkundrazi ajo ishte fitore e madhe e shtetit të Kosovës, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në mbrojtje të tërësisë sonë territoriale. Kosova është një dhe e pandashme”, tha Kurti.
Në të njëjtën kohë sa poshtë Banjskës po përurohej rruga me emrin e Bunjakut, në krye të saj nderohej dikush tjetër.
Lule e qirinj u vendosën nga serbët për anëtarët e grupit terrorist që u vranë gjatë sulmit.
Zyrtarët u larguan e fshati Banjskë iu kthye rutinës.
Për sulmin ne Banjskë të Zveçanit, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, tashmë ka një aktakuzë.
Institucionet e drejtësisë kanë identifikuar 45 anëtarët e grupit që kreu sulmin, me në krye Milan Radoiçiqin.
Vetëm tre prej tyre janë të arrestuar, ndaj 42 pjesëtarëve gjykimi do të zhvillohet në mungesë, përfshirë këtu edhe Radoiçiqin që strehë ka gjetur në Serbi.