Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se procesi do të realizohet në Klinikën e Gjinekologjisë, në bazë të udhëzimit administrativ të vitit 2013, pasi ligji prej më shumë se një viti nuk është miratuar në Kuvend. Ai ka numëruar edhe problemet me sektorin privat që burim kanë pamundësinë për të shqiptuar sanksionet që parasheh projektligji
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka paralajmëruar se që nga muaji i ardhshëm do të nisë së ofruari në sektorin publik shërbimi i fertilizimit të asistuar mjekësor.
Ai ka thënë të mërkurën se tashmë kanë nisur përgatitjet për këtë.
“Kur do të fillojë? Gjatë këtij viti. Domethënë në fillimin e dhjetorit, dy javët e para të dhjetorit. Kanë ardhur edhe aparaturat. Aty nevojiten edhe barnat e caktuara, hormon stimuluesit, të cilat në bashkëpunim edhe me komitetin kyç për listën e barnave esenciale janë futur tashmë në listën esenciale. Kanë filluar procedurat për sigurimin e tyre”, ka thënë Vitia gjatë konferencës për shtyp, pas mbledhjes së Qeverisë.
Fertilizimi i asistuar mjekësor, i njohur si IVF, do të realizohet vetëm për çiftet, të cilat kanë qelizat e tyre për fertilizim, por që shtatzënia nuk mund të realizohet në rrugë normale.
Ministri Vitia ka thënë se procesi do të realizohet në Klinikën e Gjinekologjisë, në bazë të udhëzimit administrativ të vitit 2013, pasi ligji prej më shumë se një viti nuk është miratuar në Kuvend. Ai ka numëruar edhe problemet me sektorin privat që burim kanë pamundësinë për të shqiptuar sanksionet që parasheh projektligji.
“E kam hallin në sektorin privat – mund të vazhdojë e njëjta siç ka vazhduar më herët dhe ne duke mos pasur bazë ligjore fatkeqësisht nuk mund të bëjmë sanksionime, të cilat janë të domosdoshme dhe ky ligj natyrisht i kishte rregulluar të gjitha këto, sepse udhëzimi aktual edhe i lejon ato që të tjerët po thonë se s’i lejon, i lejon, por në anën tjetër as nuk na mundëson neve një monitorim dhe sanksionim”, ka thënë Vitia.
Në mungesë të ligjit, spitalet private e edhe reparti i ri në Klinikën e Gjinekologjisë janë të amnistuara nga ndëshkimet për çfarëdo shkelje, meqë me Udhëzim Administrativ sanksionet e parapara janë të pazbatueshme.
Pas ndryshimeve të vitit 2016 në Ligjin për Kundërvajtje është përcaktuar që gjoba nuk mund t’i shqiptohet asnjë institucioni në rast se nuk e parasheh ligji.
E, Projektligji për IVF-në, i cili ka mbetur pa u miratuar shkaku që edhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV) e kanë kundërshtuar, parasheh që të drejtën e shfrytëzimit të shërbimit të fertilizimit të asistuar mjekësor ta kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, të cilat janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe që janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.
Në tetor të vitit të shkuar, pas shumë përpjekjesh, Kuvendi kishte arritur që me 63 vota për, një kundër dhe katër abstenime ta miratonte në lexim të parë këtë projektligj.
Projektligji ka ngecur tek amendamentet e ish-deputetit të LVV-së, Visar Korenica, tash i pavarur, i cili ka propozuar ndryshime, duke kërkuar që prej legjislacionit të largohen tre paragrafë, të cilët parashohin se e drejta për riprodhim u takon edhe grave të pamartuara dhe partnerëve të gjinisë së njëjtë.