Verifikimet në Kukës, sipas dëshmitarit të pestë në procesin kundër Pjetër Shalës, bëheshin për të kuptuar nëse persona të caktuar kishin lidhje me Serbinë. Në dëshminë e tij në Hagë, ai ka thënë se ata cilësoheshin vetëm të dyshuar. Prokurorja e ka ballafaquar atë me deklaratat e intervistës së vitit 2019, që sipas saj janë ndryshe nga ato që ka thënë të hënën. Dëshmitari ka mohuar se dëshmia e tij ka ndryshuar, duke ia lënë fajin përkthimit që ai e ka cilësuar “të dobët”
Dëshmitari i pestë me radhë në rastin e Pjetër Shalës, të akuzuar për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, në dëshminë e tij, të hënën, ka thënë se verifikimin për personat e dyshuar se mund të kishin lidhje me Serbinë e bënin komandantët në Shtabin e Logjistikës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kukës. Pjetër Shala, i arrestuar më 16 mars 2021, akuzohet për krime të kryera mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, në Fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.
Dëshmitari me kodin 10, që në disa pjesë të dëshmisë së tij ka qenë kontradiktor, ka përmendur emrat e Xhemshit Krasniqit, Sali Saramatit dhe Afrim Hoxhës, ndërsa lidhur me atë se si bëhej verifikimi, ai ka thënë se këtë e dinë “të mëdhenjtë” dhe se tjetër informacion nuk ka. Verifikimi, sipas tij, bëhej me dyshimin se këta persona kishin lidhje me Serbinë, dhe se këtë e kuptonte nga vetë këta persona kur kishte qëlluar kujdestar i rojës në hyrjen e ndërtesës. Këta persona, thotë ai, nga ana e UÇK-së quheshin vetëm të dyshuar, ka raportuar “Betimi për Drejtësi”.
Më tej në dëshmi ka treguar se herën e parë kur ka shkuar te dhoma hetuese, dhoma kishte qenë bosh, kurse herën e dytë kishte shikuar nga dritarja dhe se në atë vend kishte parë rreth 5 persona brenda.
Te dhoma hetuese ka thënë se ka shkuar për qejf e jo për ndonjë qëllim.
“Jo, kurrgjë, veç me këqyr kush është mrena”, ka deklaruar ai.
Paraprakisht, i pyetur nga ZPS-ja se çfarë kuptimi kishin inicialet H.H, S.S dhe D.Z.K., në skicën e shënuar nga vetë ai, dëshmitari u përgjigj me “nuk më kujtohet”.
Ndërsa pas rikujtimit nga ana e Prokurorisë me leximin e transkripteve të intervistës me ZPS-në në vitin 2019, ai pohoi se shkurtesën H.H. e kishte pasur për Hafir Hoxhën, S.S. për Sali Saramatin dhe D.Z.K. për Xhemshit Krasniqin, duke i identifikuar kështu vendet ku ata kishin qëndruar, e që ishte ndërtesa me numër 4.
Prokurorja speciale, Eva Wyler, e ka ballafaquar dëshmitarin me kodin 10 me deklarimet gjatë seancës, të hënën, dhe me deklaratat e mëparshme në rastin e Pjetër Shalës. Me këtë rast dëshmitari i fajësoi përkthyesit se nuk kishin ditur të përkthenin.
Kur prokurorja Wyler e pyeti dëshmitarin se cila kishte qenë arsyeja që në vitin 2019 kishte thënë se ndërtesa me numrin 1 kishte qenë vetëm si punëtori dhe jo si ndërtesë e cila është përdorur për të mbajtur njerëzit e dyshuar, dëshmitari ka thënë se këtë e kishte thënë por që përkthyesi ka qenë i dobët, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ajo ka qenë si punëtori, ka qenë, por është përdorur edhe për të dyshimtët, kam thënë edhe ma herët po përkthyesi ka qenë i dobët shumë, s’ka ditë me përkthye”, ka thënë dëshmitari.
Më tej ai ka thënë se kjo çfarë ka deklaruar sot është e vërteta.
Po ashtu, prokurorja sërish e ka ballafaquar atë, se në të kaluarën dëshmitari ka thënë se “s’e di s’jam kanë aty mrena asnjëherë”, ndërkohë që gjatë ditës së sotme ka deklaruar se ka qenë dy herë në ndërtesën numër 1, e që edhe për këtë dëshmitari ka insistuar se “përkthimi ka qenë gabim”.
Sërish kur u pyet se a ka pasur arsye se pse në vitin 2019 nuk ka përmendur se kishte njerëz që mbaheshin në pyetje, ai ka thënë se “i kam përmend, por përkthimi ka qenë i dobët s’e i kam përmend”.
Tutje ai ka thënë se Shtabi i Logjistikës në Kukës është përdorur për mobilizim dhe për të diskutuar për gjëra të ushtrisë. Në dëshmi ka deklaruar se mbrapa këtij shtabi rreth 20 metra më tej ishte edhe një shtab që përdorej nga UÇK-ja, ka raportuar “Betimi për Drejtësi” .
Paraprakisht, dëshmitari ka pohuar se në Shtabin e Logjistikës në Kukës kishte parë Pjetër Shalën, por që gjatë përgjigjeve të tij nga ana e DHSK-së përmbajtja ka qenë e redaktuar.
Dëshmitari para Dhomave të Specializuara të Kosovës ka treguar se si Shala ka hyrë dhe ka dalë nga Shtabi i Logjistikës në Kukës pa kërkuar leje nga askush.
Kur u pyet nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laës, se cila kishte qenë arsyeja që ai kishte mundur të hynte dhe të dilte pa leje nga aty, pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes, por që kjo pyetje u lejua nga trupi gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por, në momentin e përsëritjes së pyetjes, dëshmitari ka thënë se përgjigjja është e saktë, por që ai nuk e dinte a ka pasur leje apo jo Pjetër Shala.
Me këtë përgjigje, reagoi edhe kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia, e cila ka theksuar se edhe për të është e paqartë pasi që njëherë thuhet se Shala nuk kërkonte leje e më pas që nuk e dinte a kishte leje apo jo, duke kërkuar që ai të sqarohet.
E që më pas dëshmitari u kthye në fjalinë që kishte thënë për herë të parë.
Ballafaqimi i dëshmitarit me deklarimet e mëhershme nga ana e mbrojtësit të viktimave dhe pyetje të tjera eventuale janë bërë në seancë private.
Më 25 prill, Pjetër Shala e ka dorëzuar dosjen paraprake për gjykimin që po zhvillohet ndaj tij. Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021. Sipas Speciales, “krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në Fabrikën e Metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në Hagë procesi gjyqësor ka nisur edhe ndaj katër drejtuesve të UÇK-së, e që pas luftës kanë mbajtur poste drejtuese shtetërore e partiake: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të akuzuar po ashtu për krime lufte.