LAJMET E MBRËMJES

Në gjeneratën e re të policisë, 11 për qind pjesëtarë të komuniteteve pakicë

Policisë së Kosovës iu shtuan edhe 462 pjesëtarë të rinj. Drejtuesit e institucioneve shtetërore theksuan rolin e këtij institucioni në mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit. E drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se gjenerata e 61-të reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare

Brez të ri që sjell më shumë energji, përkushtim dhe ndjenjë të thellë të përgjegjësisë ndaj atdheut, e ka quajtur presidentja Vjosa Osmani, gjeneratën e 61-të të Policisë së Kosovës të cilët diplomuan të premten. Duke folur në emër të 462 policëve të rinj, Osmani tha se ata do t’i dalin zot atdheut.

“Këta djem e vajza që kujdesen për rendin dhe sigurinë tonë janë mburoja e paqes dhe e lirisë për të cilën populli ynë ka sakrifikuar për shekuj të tërë. Kjo përkufizon më së miri rolin e Policisë së Kosovës, një institucion që nuk është vetëm zbatues i ligjit, por edhe mbrojtës dhe garantues i lirisë për secilin qytetarë”, ka thënë Osmani.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, teksa iu drejtua policëve të rinj, tha se në misionin e tyre do të gjejnë kolegët që janë shembull në ruajtjen e sovranitetit të vendit. 

“Përgjatë këtij rrugëtimi do të takoni e ndani përvoja me kolegët e eprorët tuaj të cilët viteve të fundit kanë qenë shembullorë në detyrën e tyre në garantimin e sundimit të rendit e në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, theksoi ministri Sveçla.

E gatishmërinë për shërbim ndaj vendit e theksoi Granit Kosumi, njëri nga policët që diplomoi të premten.

“Ne kemi mësuar se si të përballemi me sfida dhe si të kontribuojmë në mënyrë efektive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si t’u shërbejmë qytetarëve, si të mbrojmë jetën dhe pronën e tyre, si të zbatojmë ligjin duke qenë të guximshëm, të ndershëm, etik e me integritet të lartë”, ka thënë ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha dhe kryeministri Albin Kurti folën për strukturën gjithëpërfshirëse të policisë.

“Reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare. 89 për qind e personelit tonë policor janë të përbërë nga shqiptarët, ndërsa pjesa tjetër është e përbërë nga grupet etnike që jetojnë në Kosovë”, theksoi Hoxha.

E kryeministri u bëri thirrje të rinjve që t’i bashkohen këtij institucioni.

“Dua t’i ftoj të gjitha vajzat dhe gratë e Kosovës që kanë dëshirë dhe ndjehen të gatshme t’i shërbejnë vendit, si dhe atyre që e përfytyrojnë veten si police, të aplikojnë në konkurset e Ministrisë së Brendshme për ta jetësuar këtë vullnet dhe realizuar këtë ëndërr”, shtoi Kurti.

Nga 462 policët e rinj, 56 janë gra. E për kah etnia, 343 janë shqiptarë, 79 serbë, 23 boshnjakë, nga 6 turq dhe egjiptianë, 3 ashkali dhe 2 romë.