LAJMET E MBRËMJES

Në Ferizaj protestohet për mungesën e rrymës, qytetarët kërkuan edhe hetime nga prokuroria

Situata me furnizim jo të rregullt me energji elektrike po vazhdon ende në disa Komuna. Deputeti Avdullah Hoti kritikoi qeverinë, por mosndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë. E në Ferizaj, u protestua lidhur me këtë problem.

Në Ferizaj të hënën u protestua para zyrave të KEDS-it për shkak të mungesës së furnizimit me energji elektrike.

Atje qytetarët kërkuan hetime nga prokuroria lidhur me këtë problem.

Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, ka thënë që situata me ndërprerje të energjisë vazhdon te mbetet e njëjtë tash e më shumë se një javë.

“Gjithashtu ardhja e mërgimtarëve në Komunën e Ferizajt si në të gjithë Kosovën është e jashtëzakonshme, që kanë ardhur për të festuar me familjarët e tyre, Mirëpo fatkeqësisht, sipas informatave që kam, shumë nga mërgimtarët vetëm kanë filluar ta lëshojnë Kosovën, shkaku po dihet që është rryma elektrike. Fatkeqësisht edhe dje ka vazhduar itinerari i njëjtë sa i përket rrymës elektrike, ndaljes së saj. Gjithashtu edhe sot ka vendbanime që kanë mbetur me orë të tëra pa energji elektrike”, tha Marevci. 

Ndërprerje të energjisë, sipas kompanive përgjegjëse për shpërndarje e transmision, KEDS dhe KOSTT po ndodhin për shkak të mbingarkesës së sistemit, por me këtë arsyetim janë pajtuar drejtuesit e partive opozitare.

Sipas të dhënave nga Platforma e Transparencës ENTSO-e, ngarkesa që nga e enjtja nuk e ka arritur shifrën e 1400 MW/h.

Por, gjatë këtyre ditëve ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në shumicën e komunave në vend.  

Kritika për qeverinë, për energji pati deputeti i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti.

Tha se gjatë këtij mandati është dashur ndërtimi i kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë.

“Ndërprerjet e gjata të energjisë po cenojnë mirëqenien e familjeve dhe po e rëndojnë aktivitetin biznesor. Në vend se të kërkojë përgjegjësi nga KEDS-i, Qeveria del me fraza tallëse se reduktimet janë rezultat i zhvillimit ekonomik. U humbën katër vite. Këta propagandues, jo që nuk nisën ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, por as plan nuk përgatitën për të siguruar furnizim të qëndrueshëm”, tha Hoti. 

Gjenerimi vendor i energjisë nga Termocentralet Kosova A dhe B është afro 750 MW/h, nga katër njësi prodhuese. Pjesa tjetër e konsumit mbulohet nga importet.