Dy seanca pritet të zhvillohen këtë javë në Kuvendin e Kosovës. Të mërkurën do të tentohet që të përmbyllen pikat e papërfunduara që nga shtatori, derisa të enjten planifikohet seancë e re plenare. Në këto dy seanca, sipas opozitës, do të testohet legjitimiteti i shumicës parlamentare
Partitë opozitare në Kuvend presin që këtë javë të definohet legjitimiteti i shumicës parlamentare.
Në dy seancat që do të mbahen në mesjavë, nga opozita thonë se do të shihet nëse pushteti ka votat e nevojshme të kalojë pikat që janë në rend të ditës, në votimin e të cilave vetë nuk do të marrin pjesë.
“Ne nuk heqim dorë nga votimi p.sh. i institucioneve të pavarura… nga marrëveshjet ndërkombëtare, çështjet e tjera që këta duhet me i pasë 61 deputetë, na nuk i votojmë…”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Mbetet të shihet nëse LVV-ja ka votat e mjaftueshme për të marrë vendimet të cilat merren me shumicë të thjeshtë. Për sa iu përket vendimeve që merren me shumicë të kualifikuar, marrëveshjet ndërkombëtare, LDK-ja e ka deklaruar dhe konfirmon që qëndron pranë vendimit të saj që marrëveshjet ndërkombëtare i përkrah dhe do t’i kalojë ato”, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Në ditën e mërkurë kur të vjen projektligji i parë e nuk do të mund t’i ketë 61 deputetë do të duhej të dorëhiqej, por këtu nuk ka përgjegjësi, këtu ka mashtrim”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Se si shumicë parlamentare i kanë 61 deputetë, u shpreh i bindur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Fajin për mosfunksionimin eventual të Kuvendit, Konjufca me ironi ia la Lidhjes Demokratike, duke e krahasuar qasjen e saj tash me atë të para 10 vjetëve, kur në pushtet ishte PDK-ja.
“S`di qysh i keni bind Abelard, ndoshta mundesh me jau shpjegu këtu gazetarëve, por na skena mujt me e bind LDK-në me qenë konstruktive sa ishte në 2010-2014 për atë legjislaturë kur edhe më pak deputetë ishin sesa që janë sot, mirëpo funksiononte Kuvendi. Më kujtohet atëherë nja 60-70 ligje i pati votuar opozita konstruktive e asaj kohe, por rrethanat ndryshuan. LDK-ja është rebeluar ma shumë dhe është bërë me revolucionare”, tha Konjufca.
Konjufcës iu kundërpërgjigj Gashi i LDK-së, i cili, mes të tjerash, ia përmendi votimin e disa nismave legjislative, marrëveshjeve e rezolutës në përkrahje të mosmbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë.
“Të quash rebeli një sjellje normale parlamentare…nga VV-ja që ka gjuajt zolla në Kuvend, nga VV-ja që ka gjuajt në fytyrë kryeministrin me gaz lotsjellës, që i ka gjuajt deputetët me gaz lotsjellës, që ka pamundësu vendimmarrje, ata me na e quajt neve? Çka është rebelizmi, konstruktiviteti prej sodit po quhet rebelizëm? ” – tha Gashi.
Të mërkurën, nga ora 11, do të shqyrtohen pikat e papërfunduara që nga seanca e 12 shtatorit, derisa të enjten nga ora 10 është planifikuar të mbahet seancë e re me 27 pika.