Është shënuar sot 25-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës më 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni. Nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë u kërkua që 15 dhe 16 prilli të shpallen si ditë përkujtimore të eksodit.
Qytetarë të shumtë edhe këtë 16 prill kufirin Kosovë-Shqipëri e kaluan më këmbë duke kujtuar kohën kur 25 vjet më parë ishin detyruar ta bënin një gjë të tillë nga forcat paramilitare serbe.
Përmes këtij marshi u përkujtua eksodi i vitit 1999.
Nexhmije Hoti nga Krusha e Madhe tregon se atë ditë kishte ecur më këmbë.
Ka thënë se kufirin e kishin kaluar bashkë me një pjesë të familjes, ndonëse djalin, burrin dhe vjehrrin ia kishin vrarë forcat serbe.
Hoti para se të largohej nga Kosova kishte kontribuuar si infermiere dhe shtëpinë e kishin shndërruar në spital.
Po ashtu ka treguar se ajo dhe burri i saj gjinekolog janë kujdesur 24 orë për të plagosur dhe gratë shtatzëna.
Sadik Bilallaj, i cili jeton në Kukës, tregon se si ishin mobilizuar ata që t’i prisnin sa më mirë refugjatët e ardhur nga Kosova.
E tashmë është kthyer në tradicional manifestimi për këtë ngjarje që mbledh shumë qytetarë në qytetin e Kukësit.
Të pranishmëve në ceremoninë “Ditët e eksodit” iu drejtuan ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, dhe kryetari i Kukësit, Albert Halilaj.
E organizatorët kërkuan nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që 15 dhe 16 prilli të shpallen si ditë përkujtimore të eksodit 1999.
16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.
Gjatë vitit 1999 qyteti i Kukësit ka strehuar rreth 600 mijë refugjatë nga Kosova, të cilët më pas janë shpërndarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë.