Është shënuar 25-vjetori i çlirimit të Prishtinës. Në këtë përvjetor, me mirënjohje janë nderuar anëtarët e Batalionit të pestë Gardist të Zonës Operative të Llapit, të cilët janë anëtarët e parë të UÇK-së që mbërritën në kryeqytet.
Riad Latifi
Komuna e Prishtinës ka nderuar anëtarët e Batalionit të Pestë Gardist të Zonës Operative të Llapit, mbërritja e të cilëve 25 vjet më parë shënon ditën e çlirimit të kryeqytetit.
Ajet Potera ka qenë në krye të këtij batalioni të UÇK-së. Ai kujton momentin kur më 11 qershor të 1999-s, me bashkëluftëtarë, hyri në Prishtinë.
“Me urdhër të komandës operative të Zonës së Llapit më 11 qershor të futemi në Prishtinë, në lagjen Kolovica e re ku ka qenë një ndjenjë e veçantë për të gjithë bashkëluftëtarët”, tha Potera.
E kryetari Përparim Rama, tha se qytetarët e Prishtinës ndihen krenarë me pjesëtarët e këtij batalioni të UÇK-së.
“Në emër të kryeqytetit ju falënderoj poër për gjithçka cfarë keni bërë, se e e di se kur keni dalë, keni dalë mos me u kthy edhe është faktikisht fat dhe mrekulli që jeni këtu sot”, tha Rama.
Në këtë përvjetor, në emër të batalionit, Potera pranoi mirënjohje nga Rama.
Por, në komunë nuk mbërriti një mysafir tjetër, për të cilin autoritetet planifikuan t’ia dhurojnë çelësin e qytetit. Komuna e Prishtinës anuloi një numër aktivitetesh, për pritjen e kryeadministratorit të dytë të OKB-së, Bernard Kouchner.
Në një seancë solemne për Ditën e çlirimit që e organizoi Kuvendi Komunal, kryetari Rama e përmendi Kushnerin si një nga kontribuuesit e mëdhenj për ndërtimin e paqes.
“E kemi kthyer në traditë, që këtë ditë të çmuar, ta bëjmë edhe më të veçantë edhe me praninë e një personaliteti që lidhet pa ndashëm me historinë tonë më të re, z. Bernand Kouchner”, tha Rama.
Në këtë mbledhje, kryetari i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, nuk përmendi ndërkombëtarët. Ai falënderoi politikanë e luftëtarë të Kosovës që kontribuuan për çlirim.
“Shumë qytete e fshatra u shkatërruan, e populli i Kosovës mbeti pa shpresë. Por falë guximit dhe angazhimit të luftëtarëve e veprimtarëve politik, popullit të Kosovë iu kthye shpresa për një të ardhme më të mirë’’, tha Kupina.
Në Ditën e çlirimit të Prishtinës u bënë homazhe te Varrezat e dëshmorëve dhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.