Gjatë vitit 2024, Gjykata Kushtetuese ka pranuar 272 kërkesa për interpretim ligjesh, numër ky që e pasqyron një trend të rritjes, ka thënë kryetari i saj, Nexhmi Rexhepi. Në 17-vjetorin e miratimit të Kushtetutës, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se ky dokument është themel i shoqërisë demokratike dhe garantues i të drejtave për të gjithë qytetarët
Janë bërë 17 vjet që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila është ratifikuar më 9 prill të 2008-s, ndërsa ka hyrë në fuqi pas dy muajsh.
Akti më i lartë juridik i shtetit është përpiluar duke u bazuar në Planin e Marti Ahtisaarit, i cili ka paraparë të drejta të zgjeruara për komunitetet etnike joshqiptare dhe e ka përcaktuar Kosovën si laik karshi feve.
Në shënimin e kësaj date presidentja Vjosa Osmani të mërkurën ka thënë se Kushtetuta ka vënë themelet juridike dhe institucionale të Kosovës së pavarur.
“Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë. Ajo garanton liritë dhe të drejtat themelore të çdo qytetari, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie, duke vendosur sundimin e ligjit si themel të funksionimit të institucioneve. Në këtë ditë riafirmojmë përkushtimin tonë për ta mbrojtur Kushtetutën, për ta zbatuar me përpikëri, dhe për ta jetësuar në çdo vendim, politikë e veprim”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Interpretimin e këtij dokumenti e bën Gjykata Kushtetuese, e cila merr vendime pas ankesa të individëve apo të grupeve dhe palëve të tjera që i drejtohen këtij institucioni.
Kryetari i Kushtetueses, Nexhmi Rexhepi, gjatë një diskutimi me studentë të Fakultetit Juridik, ka thënë se kërkesat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve apo të akteve të tjera janë shtuar gjatë viteve të fundit.
“Çështje që lidhen me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe konstituimin e Kuvendit pas zgjedhjeve, këtu pastaj hyjnë edhe kontrolli i kushtetutshmërisë së një game ligjesh, qoftë Ligji për paga në sektorin publik, për zyrtarët publik, për skemat pensionale të financuara nga shteti”, ka theksuar ai.
Gjatë vitit të shkuar kësaj gjykate për interpretim të ligjeve i janë drejtuar 272 kërkesa, 236 prej të cilave kanë qenë vendime të gjykatave të shkallëve më të ulëta.
E, 36 kërkesa për interpretim janë bërë ndaj vendimeve të autoriteteve të tjera publike.
Në këtë mes hyjnë Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë, Ligji për Pagën Minimale dhe Tatimin, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, ai për Pagat në Sektorin Publik dhe shumë të tjera.
Në vitin 2023, Gjykata Kushtetuese ka pranuar më së shumti kërkesa që nga themelimi, pasi asaj për interpretim i janë deponuar 294 kërkesa, 18 prej të cilave janë parashtruar nga autoritetet publike.
E në vitin 2022, Kushtetuesja ka pranuar 220 kërkesa të tilla.
Gjykata Kushtetuese nuk merr vendime penale apo gjobitëse. Ajo mund të aktivizohet vetëm pas një kërkese dhe paneli prej 9 gjyqtarësh interpreton se aktgjykimi, ligji apo ndonjë vendim tjetër është ndërmarrë në përputhje me Kushtetutën apo janë shkelur nene të saj.
Shkeljet më të shumta janë gjetur në nenin 31 të Kushtetutës për të drejtën në gjykim të drejtë dhe të paanshëm
9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë.