LAJMET E MBRËMJES

Nderohen 14 ushtarët britanikë të rënë në Kosovë

Në nderim të 14 ushtarëve britanikë të rënë gjatë shërbimit në Kosovë, pranë pllakës përkujtimore kushtuar atyre, në sheshin “Edit Duhram” në Prishtinë u vendosën kurora lulesh. Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar që kjo ceremoni të shërbejë në drejtim të paqes dhe pajtimit

Në ditën kur Britania e Madhe nderon të gjithë dëshmorët e rënë, në Kosovë ambasada e këtij shteti ka organizuar ceremoni përkujtimore për 14 ushtarët e këtij vendi të rënë gjatë shërbimit në Kosovë.

Pranë pllakës përkujtimore në sheshin "Edit Durham", përfaqësues politik e diplomatik, të dielën bënë nderime e vendosën lule.

Fjalim para të pranishmëve ka mbajtur ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

“Ceremonia e mëngjesit të sotëm nënkupton gjëra të ndryshme për secilin prej nesh dhe unë shpresoj që kjo ceremoni të na shërbejë për inspirim e ngushëllim. Shpresoj që kjo ceremoni të na inspirojë të gjithëve të vazhdojmë të punojmë për paqe dhe pajtim në këtë rajon dhe përgjatë tërë botës”, ka thënë ai.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili mori pjesë në ceremoninë përkujtimore, ka shkruar në Facebook se ushtarët britanikë janë pjesë e historisë së Kosovës.

“Një shtet mik si Britania e Madhe ka luajtur rol të rëndësishëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Lidhja e veçantë e Republikës së Kosovës me Britaninë e Madhe rrjedh dhe kultivohet edhe nga sakrificat e përbashkëta, përveçse edhe nga vlerat e njëllojta”, ka shkruar ai.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ushtarë të FSK-së e të KFOR-it.