Për thellim të bashkëpunimit mes dy shteteve janë zotuar të hënën, kryeministrat Albin Kurti i Kosovës e Hristijan Mickoski i Maqedonisë së Veriut. Pos projekteve në fusha të ndryshme, Kurti e Mickoski diskutuan edhe për dy raste specifike që prekin fushën e drejtësisë
Ndalimi i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani nga autoritetet maqedonase, ishte në mesin e çështjeve që kryeministri Albin Kurti ka diskutuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të hënën në Shkup.
Kryeministri Kurti tha se diskutimet për këtë çështje do të vazhdojnë nga ministrat e drejtësisë të të dyja shteteve.
“Ministrat tanë të drejtësisë do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm. Gjithçka do të shkojë në funksion të vlerës së përgjithshme që bazohet në ligj e Kushtetutë në procedurat dhe rregullat institucionale në të dyja vendet, por gjithashtu edhe në kuadër të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe evropiane që ne dëshirojmë t’i kultivojmë”, tha Kurti.
Ramadani u ndalua ditë më parë bazuar në një urdhërarresti të Serbisë. Aktualisht është në burgim shtëpiak në Shkup.
Pos për ndalimin e Ramadanit, dy kryeministrat diskutuan edhe për kërkesën e Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e dy personave të dënuar në lidhje me rastin “Monstra”.
Kurti tha se pret përmbyllje të shpejtë të kësaj çështjeje, e kryeministri Mickoski vlerësoi bashkëpunimin në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Shtoi se kjo do të vazhdojë edhe për këtë rast.
“Ministrat e drejtësisë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë jo vetëm për këtë rast, por edhe për rastin ‘Monstra’ gjithashtu, sepse marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bilaterale do të shkojnë në drejtim pozitiv. Ky takim është i mirë, pasi duam t’i rrisim dhe përmirësojmë marrëdhëniet mes dy qeverive”, tha Mickoski.
Gjatë qëndrimit në Shkup, Kurti fillimisht zhvilloi takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, e më pas u organizua një edhe mes disa ministrave të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.
Të dy kryeministrat u shprehën se janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit sa u përket shkëmbimeve tregtare, projekteve infrastrukturore dhe atyre në fushën e sigurisë e të mbrojtjes.