LAJMET E MBRËMJES

Ndalet prodhimi në njësinë A4, KEK-u mohon se zjarri është shkaktar

Korporata Energjetike e Kosovës ka konfirmuar zjarrin në Termocentralin Kosova A, për të cilin paraprakisht ka shkruar deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Në KEK kanë thënë se ndalja e njësisë A4 nuk lidhet me zjarrin, por me një lidhje të shkurtër në kabllo

Një zjarr ka shpërthyer paraditen e së premtes, në termocentralin Kosova A. Pamjet e zjarrit i ka publikuar në profilin e tij në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike, Ferat Shala. Incidenti ka shkaktuar dëme materiale, por jo edhe pasoja te ndonjë punëtor.

“Eksplodim i kazanit ‘bojleri i Albinit’, në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. Kjo i shkon për shtati mafisë energjetike, sepse tash na duhet import i energjisë!”, ka shkruar Shala në Facebook.

KEK-u nëpërmjet një njoftimi konfirmoi zjarrin, por bëri të ditur se nuk ka ndërlidhje mes tij dhe rënies së njësisë A4 të këtij termocentrali. Sipas njoftimit, kjo njësi është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është shkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.

“Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në medie ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe i njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, është thënë në njoftimin e KEK-ut.

Detaje se si ndodhi rasti, nuk pranoi të japë as nënkryetari i Shoqatës Sindikale të Termocentralit Kosova A, Haxhi Kastrati.

“Kjo është normale çfarë ka ndodhur, me gjithë këto temperatura që kanë qenë, ka ndodhur ajo, por kjo shumë shpejt do të rregullohet”, ka thënë Kastrati.

E, deputeti i PDK-së Ferat Shala tha të jetë shqetësuese orvatja e menaxhmentit të KEK-ut dhe Qeverisë për ta mbajtur fshehtë ngjarjen.

“Ajo çka dihet, tashmë me shumë vonesë, edhe Korporata Energjetike e ka pranuar avarinë, por është fakti edhe tjetër i vërtetë që sot në këto momente ku ne po flasim, Blloku A4 është jashtë funksionit. Varësisht prej gjendjes së tij, edhe në këtë relacion, sot Kosova është me minus njëqind e njëzet e pesë megavat orë prodhim të energjisë elektrike, e cila energji duhet të kompensohet nga burime të tjera të importit”, ka thënë Shala.

Shalës i kanë reaguar deputetët e partisë në pushtet. Nëpërmjet postimeve në rrjete sociale, ata kanë akuzuar qeveritë e mëhershme për favorizim të kompanive private brenda KEK-ut, në dëm të ndërmarrjes publike.

Deputeti Salih Zyba ka shkruar se si Shala ëndërron për eksplodime nëpër ndërmarrjet publike.

“Kutia e njehsorëve është djegur, nuk ka pasur eksplodim. Edhe një herë, Ferat Shala tregoi se me sa padurim i ëndërron eksplodimet nëpër ndërmarrjet publike, me shpresë se pastaj mund të bërtasë: Albini i ka fajet; mafia energjetike i ka fajet. I gatshëm që me njerëzit e vet të prodhojë sabotime të shtetit e ‘eksplodime’ vetëm për një status në Facebook dhe 10 debate televizive” ka shkruar Zyba.

Ndërsa, deputeti tjetër i LVV-së, Enver Dugolli ka shtruar pyetjen se si Ferat Shala po e di që në orën 8:00 të mëngjesit se çfarë po ndodh në KEK.

“Ferat Shala i PDK-së as punon në KEK, as në Ministri të Ekonomisë, po as nuk është zjarrfikës”, ka shkruar Dugolli.

Ndërsa kanë mbetur më pak se katër muaj deri te zgjedhjet parlamentare (9 shkurt 2025) përplasjet mes opozitës dhe pushtetit janë intensifikuar e ashpërsuar javëve të fundit, dhe jo vetëm për rastin e fundit në KEK.