LAJMET E MBRËMJES

Nawrat: NATO-ja e përkushtuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë

Zhvillimi i FSK-së dhe roli i partnerëve kanë qenë në fokus të konferencës vjetore “FSK-ja dhe partnerët 2024”, të mbajtur të mërkurën. Në këtë ngjarje përfaqësues shtetërorë e diplomatë të huaj kanë diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit në modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si dhe për sfidat aktuale të sigurisë globale e rajonale

Përfaqësues shtetërorë, ambasadorë të huaj, atashe ushtarakë dhe diplomatë të shteteve partnere të Kosovës i ka bërë bashkë të mërkurën në Prishtinë konferenca vjetore, me temën “FSK-ja dhe partnerët 2024”, e cila është organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga Forca e Sigurisë e Kosovës.

Drejtori i ekipit ndërlidhës këshillues të NATO-s, Christian Nawrat, ka thënë gjatë konferencës se Aleanca Veriatlantike mbetet e përkushtuar për ta luajtur rolin e saj në mbështetjen e sigurisë dhe të stabilitetit në Kosovë, teksa ka garantuar ndihmë për FSK-në në ngritjen e kapaciteteve.

“NATO-ja mbetet e përkushtuar për ta luajtur rolin e saj në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë e në mbarë rajonin. Ne po punojmë, por brenda këtij mandati ka edhe shumë për të bërë. Duke ofruar këshillat tona si ekip shumëkombësh bazuar në mandati e FSK-së, ne luajmë rol unik në mesin e ndërkombëtarëve që e mbështesin FSK-në. Aleatët tanë mbesin në të njëjtin synim, që të mbështesin FSK-në për të krijuar një forcë të aftë për t’u ofruar mundësi individëve pa dallim gjinie e përkatësi etnike. NATO-ja e mirëpret përparimin e një FSK-je më gjithëpërfshirëse”, ka thënë Nawart.

Antonello de Riu, ambasador i Italisë në Kosovë, ka theksuar se FSK-ja i ka shmangur të gjitha provokimet që kanë mundur të çonin drejt përshkallëzimit të situatës, pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të shkuar në Banjskë të Zveçanit.

“Ka sfida, sidomos kjo çështja e fundit e Rusisë dhe ato qëllimet e Serbisë të këqija në Kosovë dhe kërkojnë një qasje të jashtëzakonshme. Është shumë esenciale që kjo të adresohet dhe ngritja e personelit të KFOR-it në kontrollimin e kufirit ka qenë shumë kruciale. Po ashtu, dëshirojmë të them se sulmi i vitit të kaluar, që është kryer nga një grup i paramilitarëve, në atë rast FSK-ja ka treguar profesionalizëm të vërtetë duke shmangur të gjitha provokimet dhe retorikat që kanë mundur të çonin në përshkallëzime të ndryshme”, ka thënë ai. 

De Riu e ka ngritur edhe çështjen e dialogut midis Kosovës e Serbisë.

“Është shumë e rëndësishme që të krijohet një dialog dhe kjo çështje të kryhet përmes dialogut dhe përmes bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar dhe të sigurohemi që forca të mos jetë në shprehje dhe të ndajmë prosperitetin dhe në këtë kontekst NATO dhe anëtarët e QUINT-it janë të gatshëm të ofrojnë lehtësimin e dialogut dhe të gjejmë një zgjidhje për çështjet që deri tani janë të pazgjidhura. Pres të bëjmë një qasje të bashkëpunimit që të gjitha palët mund t’i kalojnë këto sfida”, ka theksuar ambasadori italian. 

E ai i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, e ka lavdëruar FSK-në për mbështetjen e ofruar për Ukrainën dhe stabilitetin në Evropë, teksa ka shtuar që kjo forcë është në rrugën për integrim në institucionet e nivelit të lartë të sigurisë. 

Bekim Jashari, komandant i FSK-së, duke folur për ngritjen e vazhdueshme të institucionit që e drejton, ka shprehur qëndrimin se siguria globale nuk ka qenë kurrë më e sfiduar.

“FSK-ja po vazhdon rrugëtimin e saj drejt ngritjes së kapaciteteve të reja, investimeve në burime njerëzore dhe zhvillimin e një force të ndërveprueshme me aleatët e saj. Mbështetja e juaj deri në këtë fazë ka qenë thelbësore dhe së bashku jemi shndërruar në storie suksesi”, ka thënë Jashari.

E Shemsi Syla, zëvendësministër i Mbrojtjes, ka theksuar se bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ka luajtur rol kyç në formësimin e FSK-së. 

“Partnerët tanë kanë luajtur një rol thelbësor në formësimin, modernizimin dhe fuqizimin e kapaciteteve tona….përmes këtij bashkëpunimi të ngushtë FSK-ja sot qëndron e fortë dhe e gatshme për të përmbushur misionin e saj si garantues i sigurisë së Kosovës dhe kontribuues për paqen ndërkombëtare”, ka bërë të ditur Syla.

Në konferencë ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello de Riu, preku edhe çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Forca e Sigurisë është në tranzicion 10-vjeçar për t’u shndërruar në ushtri. Ky proces do të përfundojë më 2028.