Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, ka thënë të mërkurën se bazuar në informatat e kësaj agjencie, prapa sulmit në kanalin e ujit në “Ibër-Lepenc” qëndron Milan Radoiçiqi, i mbështetur nga Serbia. Musliu po ashtu ka thënë se situata në Kosovë është stabile, me përjashtim të komunave veriore
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Ganimete Musliu, ka thënë se sulmi i 29 nëntorit në kanalin e ujit në “Ibër-Lepenc” është kryer nga Milan Radoiçiqi, i cili pati pranuar se ka qëndruar prapa sulmit të 24 shtatorit të vitit të shkuar në Banjskë të Zveçanit.
Për sulmin në “Ibër-Lepenc”, Musliu ka thënë se Radoiçiqi është ndihmuar nga Serbia. Këtë ajo e ka thënë në një konferencë shtypi, të mbajtur të mërkurën pas raportimit prapa dyerve të mbyllura të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti, në Komisionin për Mbikëqyrjen e kësaj agjencie.
“Në bazë të asaj se çka u tha nga drejtori i AKI-së në këtë takim, mbrapa këtij sulmi qëndron Radoiçiqi, i mbështetur nga shteti serb”, ka thënë Musliu në konferencë.
Musliu nuk ka ndarë më shumë informacione mbi diskutimet që janë zhvilluar në mbledhje, por ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është në përgjithësi stabile, përveç asaj në veriun e banuar kryesisht me serbë.
“Diskutuam për të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e vendit. Sa i përket raportimit të drejtorit, gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile, me provokime të mundshme nga ana e Serbisë. Kur them gjendja është stabile, përjashtohen pesë komunat veriore, ku herë pas here kemi tensione edhe provokime të nxitura nga shteti serb dhe struktura kriminale të Serbisë atje”, ka thënë ajo.
Milan Radoiçiqi e pati marrë përsipër përgjegjësinë për kryerjen e sulmit të 24 shtatorit të 2023-s në Banjskë, ku ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
Për këtë sulm Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tij dhe 44 serbëve të tjerë. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se ata kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm.
E, shpërthimi i këtij viti në kanalin e “Ibër-Lepencit” në Zubin-Potok, prej nga furnizohen me ujë disa qytete, është cilësuar si më i rëndi në infrastrukturën kritike të vendit.
Lidhur me sulmin autoritetet e Kosovës kanë arrestuar tetë persona, të cilët dyshohen për lidhje dhe nxitje të sulmeve të fundit në veri (hedhja e granatave të dorës në Zveçan dhe shpërthimin në kanalin e “Ibër-Lepencit”). Në bastisjet e ndërmarra në veri, Policia ka konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.
Ndërsa në një bastisje të ndarë në Zveçan, Policia ka konfiskuar sasi të konsiderueshme armatimi, 2 AK47, 3 revole, 1 armë gjuetie, 2 armë rekreative, 6 karikator të AK47, municion e uniforma ushtarake.