LAJMET E MBRËMJES

Murseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Dodaj dënohet për shitjen e armës

I akuzuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të 2023-tës, Naim Murseli, është deklaruar të premten i pafajshëm për akuzën që i është vënë. I akuzuari tjetër, Tomë Dodaj, ka pranuar fajësinë se i ka shitur Murselit armë me qëllim të vrasjes së Ademajt. Për këtë, ai është dënuar me 5 vjet burgim dhe me gjobë prej 5 mijë eurosh

Naim Murseli, i akuzuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023, është deklaruar i pafajshëm të premten gjatë seancës së shqyrtimit fillestar për rastin, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

30-vjeçarja Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor 2023 në rrugë “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Rasti fillimisht është raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë policia ka arrestuar dy persona, përfshirë bashkëshortin e Ademajt, Naim Murseli.

Murseli të enjten ka thënë para trupit gjykues se ndihet i pafajshëm për veprën penale “vrasje e rëndë”.

“Plotësisht i pafajshëm”, ka deklaruar ai para trupit gjykues.

I akuzuari tjetër për rastin, Granit Plava, i cili akuzohet se ka shtënë me armë drejt Ademajt, ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje. E i akuzuari i tretë, Kushtrim Kokalla, i cili ngarkohet se e ka gjetur Plavën për ta kryer aktin, ka thënë se lidhur me fajësinë nuk do të deklarohet pa u konsultuar me avokatin e tij.

E ndryshe prej tyre, i akuzuari i katërt, Tomë Dodaj, ka pranuar fajësinë.

“Në mënyrë vullnetare, deklarohem i fajshëm”, ka deklaruar ai.

Pas pranimit të fajësisë, Gjykata e ka dënuar Dodajn me pesë vjet burgim dhe me gjobë prej 5 mijë eurosh për akuzën se i ka shitur Murselit armë me 20 fishekë për 280 euro me qëllim të vrasjes së Ademajt.

Fatime Dërmaku, kryetare e trupit gjykues, ka thënë se ky dënimi me pesë vjet burgim për Dodajn është shqiptuar shkaku që ai e ka pranuar menjëherë fajësinë.

Para deklarimeve mbi fajësinë, prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, ua ka lexuar të akuzuarve aktakuzën. Ajo ka thënë se Murseli kishte bërë plan për ta vrarë Ademajn nga mllefi dhe në shenjë hakmarrjeje, pasi që çifti ka pasur “raporte të çrregulluara familjare dhe martesore”. Prokurorja ka theksuar se më 25 qershor 2022, është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën në vlerë prej 3.000.000 krunash suedeze (261,031 euro) me qëllim që pas vdekjes së saj, Murseli ta përfitonte këtë sigurim. Sipas saj, Murseli ia ka shpalosur të akuzuarit Kokalla planin për vrasjen e bashkëshortes dhe ka kërkuar nga ai që të gjejë mënyra për ta realizuar atë. Ai, sipas Prokurorisë, nuk ka pranuar të kryente vrasjen dhe e ka njoftuar Murselin me Plavën. Sipas prokurorisë, që të tre më pas janë pajtuar që Plava ta vriste Ademajn dhe që Murseli do ta kompensonte atë me 30.000 euro. Ndërkaq, në këtë rast i akuzuari Dodaj është përfshirë pasi në ditën e vrasjes, Murseli ka blerë nga ai një pistoletë “Zastava” dhe 20 fishekë, në vlerë prej 280 eurosh. Me këtë armë, ka thënë prokurorja, është vrarë Liridona Ademaj.

“Naim Murseli, me veturën në të cilën ka qenë tani e ndjera Liridona dhe fëmijët e tyre, pas marrëveshjes paraprake, i ka dhënë shenjë me drita veturës së të pandehurit Plava, për çka ai ka dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar”, ka thënë ajo.

Seanca e së premtes është përcjellë edhe me polemika midis kryetares së trupit gjykues dhe avokatit të të akuzuarit Kokalla, Ndrecë Dodaj, lidhur me CD-në me shkresa të lëndës. Pasi që avokati Dodaj është ankua se nuk ka mundur t’i qasej CD-së, Dërmaku ka kërkuar asistencë nga ekspertët e IT-së të gjykatës, të cilët më pas kanë konstatuar se nuk ka pengesa në qasje të materialit.

Më 27 janar pati dështuar nisja e shqyrtimit fillestar të rastit, pasi mbrojtja e Kokallës dhe ajo e Dodajt kanë pretenduar se nuk janë pajisur me shkresa të lëndës.

Për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Murselit, Plavës, Kokallës dhe Dodajt më 15 janar 2025.