Me synimin që çdo familje ta ketë një person të punësuar, Qeveria e Kosovës ka prezantuar masën “Qeveria për familjet”. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me qëllim të rritjes së numrit të të punësuarve, kjo masë do të subvencionohet në lartësinë e 70% të pagës. Këtë nismë të Qeverisë opozita e ka quajtur eksperiment të panevojshëm
Për gjashtë muajt e ardhshëm Qeveria e Kosovës do t’i subvencionojë bizneset deri në 70% të pagës për çdo të punësuar. Në një konferencë për media, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur për masën e titulluar “Qeveria për familjet”, e cila parasheh ta punësojë një person për çdo familje që nuk e ka asnjë të punësuar.
“Synimi është që të mbështeten familjet që nuk e kanë asnjë të punësuar sepse duam të sigurohemi si shtet, si Qeveri, që të fillojmë nga ata që kanë më së shumti nevojë. Pra në momentin që jemi siguruar që të gjithë që kanë nevojë, të gjitha familjet, e kanë një të punësuar, pastaj mund të shohim edhe për kategori të tjera”, është shprehur Murati.
Një skemë të tillë e kishte paralajmëruar të shtunën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Po bëjmë një hap tejet të rëndësishëm drejt Skemës së Punësimit të Garantuar, si politikë e jona qeveritare për garantim të punësimit. Njëkohësisht po vendosim një standard të ri të politikave të punësimit që rrisin mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë ai.
E ministri Murati ka sqaruar se personat e interesuar për punësim dhe bizneset duhet të lajmërohet në zyrat e Agjencisë së Punës. Sipas ministrit, ata duhet të ofrojnë kopjen e certifikatës së bizneset apo OJQ-së, atë të letërnjoftimit të pronarit dhe listën e të punësuarve të vërtetuar nga ATK-ja. Të interesuarit për punësim duhet të paraqesin kopjen e letërnjoftimit, atë të certifikatës më të lartë të edukimit dhe një CV.
Kjo skemë e punësimit, e prezantuar nga ekzekutivi, është kritikuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Arben Mustafa, nga kjo parti, ka thënë se ky është eksperiment i panevojshëm i Qeverisë.
“Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë se vendi gjendet në krizë ekonomike dhe nuk ka kohë të humbë me eksperimente të tilla, që shpërdorojnë paranë publike. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për të ardhura të qëndrueshme nga punësimi dhe jo për lëmosha të kohëpaskohshme”, ka thënë Mustafa, disa orë pasi që ministri Murati ka prezantuar skemën.
Paralajmërohet sërish vendosja e çmimit tavan për produktet esenciale
Ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencë për media ka folur për rritjen e vazhdueshme të çmimeve, teksa ka paralajmëruar vendosjen e çmimit tavan edhe për produktet e tjera.
“Po vazhdon një abuzim i tillë nga tregtarët që po e shfrytëzojnë situatën. Pra bëhet fjalë për një projektligj të tillë që vendos çmimin tavan për produktet esenciale që nevojiten për të jetuar”, ka thënë Murati. Sipas ministrit, vendosja e çmimit tavan për derivatet ka pasur efekte pozitive, për shkak se, sipas tij, çmimi është zbritur për 30 centë.
Bazuar në Udhëzimin Administrativ që rregullon çmimin e derivateve, çmimi për marzhën tregtare maksimal për një litër të produktit të naftës së shitur me shumicë është 2 centë, ndërsa me pakicë është 12 centë. Vendimi u mor pas konstatimeve të Qeverisë për mospërputhje të çmimeve në krahasim me lëvizjet në tregjet botërore.