LAJMET E MBRËMJES

Muja: PDK-ja gënjeu, subvencionimi për libra i shmang abuzimet dhe e kursen buxhetin

“Dje, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e gënjeu në mënyrë të hapur publikun se do të shpenzohen 20 milionë euro. Nuk është e vërtetë që do të shpenzohen 20 milionë euro për tekste shkollore, në fakt dallimi mes viteve 2023 dhe 2024 do të jetë që në vitin 2023 janë vetëm tekstet për shkollim fillor, kurse këtë vit do të jetë edhe për shkollimin fillor, edhe për shkollimin e mesëm të ulët, pra, do të ketë diku 212 mijë nxënës që do të përfitojnë dhe kjo shifër, siç parashihet në planifikimin fillestar, është 13 milionë euro”, ka thënë deputeti i LVV-së, Armend Muja, në një konferencë shtypi

Zyrtarë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e kanë mbrojtur të premten vendimin e Ministrisë së Arsimit (MASHTI) për subvencionimin e prindërve me qëllim të blerjes së teksteve shkollore për fëmijët, edhe gjatë këtij viti.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, u është kundërpërgjigjur, nëpërmjet një konference shtypi, kritikave dhe akuzave të adresuara nga opozita se nëpërmjet vendimit për subvencionim për të dytin vit radhazi po dëmtohet buxheti i shtetit.

“Dje, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e gënjeu në mënyrë të hapur publikun se do të shpenzohen 20 milionë euro. Nuk është e vërtetë që do të shpenzohen 20 milionë euro për tekste shkollore, në fakt dallimi mes viteve 2023 dhe 2024 do të jetë që në vitin 2023 janë vetëm tekstet për shkollim fillor, kurse këtë vit do të jetë edhe për shkollimin fillor, edhe për shkollimin e mesëm të ulët, pra, do të ketë diku 212 mijë nxënës që do të përfitojnë dhe kjo shifër, siç parashihet në planifikimin fillestar, është 13 milionë euro”, ka thënë Muja. 

Ai e ka ngritur akuzën se gjatë viteve të mëparshme, kur për nxënësit librat janë siguruar dhe janë shpërndarë nëpër shkolla, është bërë korrupsion masiv, gjë për të cilën i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetime.

E deputetja tjetër e LVV-së, Arjeta Fejza, ka deklaruar se vendimi për subvencionim edhe sivjet është marrë shkaku i nevojës për të shmangur keqmenaxhimin dhe mungesën e planifikimit.

“Keqplanifikim, vonim i furnizimit, abuzim me çmime të larta, stoqe të grumbulluara me libra nëpër bodrume të shkollave janë vetëm disa nga problemet të cilat e kanë përcjellë këtë proces... Fatkeqësisht ky vendim u atakua menjëherë dhe fuqishëm nga partitë opozitare, të cilat edhe pse kanë informata të bollshme se si procesi ka shkuar në vitet e kaluara, preferojnë modelin e vjetër të pajisjes. Opozita nuk la gjë pa thënë për këtë proces, madje themeloi edhe komisionin hetimor për të cilin, kur e pa se nuk ka asnjë gjetje, filloi ta sabotonte vetë”, ka thënë Fejza.

Ministria e Arsimit ka marrë vendim gjatë kësaj jave që furnizimi i nxënësve me tekste shkollore edhe këtë vit do të bëhet nëpërmjet subvencionimit të prindërve për blerjen e tyre.

Në kuadër të subvencionimit, 80 euro është shuma që është ndarë për nxënësit që mësimin e vijojnë në nivelin fillor, teksa për ata nga klasa e gjashtë deri në të nëntën subvencionimi do të jetë nga 110 euro.

Ky vendim është kritikuar nga dy partitë më të mëdha opozitare (PDK dhe LDK) si dhe nga Këshilli i Prindërve, duke u kualifikuar si metodë e kushtueshme për buxhetin e shtetit dhe që krijon vonesa në nisjen e procesit mësimor. 

E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar të enjten se brenda 24 orëve të para që pas hapjes së aplikimit për subvencionimin e teksteve shkollore në platformën e-Kosova, kanë aplikuar 60 mijë e 244 prindër. Ajo ka inkurajuar prindërit që nuk kanë aplikuar ende që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.