Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, e ka arsyetuar vendimin, pasi që e ka shpallur Alidemajn fajtor dhe i ka shqiptuar atij dënimin me 15 vjet burgim. Trupi gjykues ka konstatuar se dëshmitarët e kanë identifikuar të akuzuarin Alidemaj se ka qenë pjesë e ushtrisë dhe policisë serbe, e cila i ka kryer krimet në Izbicë. Me shkallën e dënimit janë shprehur të pakënaqur dëshmitarët, teksa avokati i të akuzuarit ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit
Ka marrë epilog të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, procesi gjyqësor ndaj Muhamet Alidemajt, i cili akuzohet për krime lufte gjatë vitit 1999 në fshatin Izbicë të Skenderajt.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, e ka arsyetuar vendimin, pasi që e ka shpallur Alidemajn fajtor dhe i ka shqiptuar atij dënimin me 15 vjet burgim.
“Është fajtor, sepse gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 e deri më 11 qershor të vitit 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, me dashje dhe me bashkëkryerje, me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës. Më 28 mars 1999, në fshatin Izbicë, në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e quajtur malet e Stojevcit, në kodrën e rrugës Kërrni-Bërnicë, i pandehuri me forcat serbe zbritën nga malet në drejtim të Izbicës, shkuan ku ishin të grumbulluar popullsia civile, i ndanë gratë dhe fëmijët nën moshën 12-vjeçare nga turma nën kërcënim të armës, duke shkuar në drejtim të Shqipërisë, kurse burrat i ndanë në 3 grupe duke i vrarë 130 persona”, ka theksuar Ismajli.
Trupi gjykues ka konstatuar se dëshmitarët e kanë identifikuar të akuzuarin Alidemaj se ka qenë pjesë e ushtrisë dhe policisë serbe, e cila i ka kryer krimet në Izbicë.
“Janë dëgjuar shumë dëshmitarë, si nga Prokuroria Speciale e Kosovës por edhe nga pala mbrojtëse. Nga dëshmitë e dëshmitarëve, Muhamet Alidemaj ka qenë pjesëmarrës që e kanë kryer masakrën e Izbicës, e kanë vërtetuar me dëshmitë e tyre, dëshmitarët siç është Xhemile Osmanaj, Shukrije Osmanaj, e kanë akuzuar Alidemajn, sikurse edhe Islam Dani, të akuzuarin e ka njohur”, ka theksuar gjyqtari.
Por me shkallën e dënimit të shqiptuar ndaj Alidemajt nuk është ndarë i kënaqur dëshmitari i rastit, Islam Dani.
“Vendimin e shohim shumë të ulët në bazë të numrit të viktimave, por ky është vendim i gjykatës. Ne duhet të pajtohemi me vendimin e gjykatës”, ka thënë ai, pas përfundimit të seancës të premten.
E dëshmitari tjetër, Adem Osmanaj, ka thënë se pritja ishte që dënimi të ishte më i lartë.
“Ne kemi pritur vendimin krejt ndryshe, se për një njeri të vra i merr 10 ose 12 vjet burg. Të pajtimit nuk jemi, se ky sa ka dhunuar e sa paret i ka marrë ky nëpër popull, ky miliarda ka marrë”, ka theksuar ai.
Të kundërtën e ka theksuar avokati i Alidemajt, Millosh Deleviq, i cili ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit në Gjykatën e Apelit.
“Nuk e dimë se në bazë të të cilave dëshmi gjykatësi e lexoi këtë shpallje porse ne, gjithsesi, do të ankohemi në kuadër të afatit ligjor dhe, siç kam thënë edhe në fjalën përfundimtare, i dëmtuari dhe dëshmitarët në këtë rast kanë dhënë pesë përshkrime të ndryshme të të akuzuarit në një ditë”, ka thënë Deleviq.
Muhamet Alidemaj është arrestuar në vitin 2021, në Kërminë të Istogut, pasi që është kthyer në shtëpinë e prindërve të tij, për të parën herë që pas 22 vjetësh qëndrimi në Serbi. Ai është akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare, përfshirë pjesëmarrjen në masakrën e Izbicës. Mbi rënduan edhe akuzat për pjesëmarrje në zhvarrosjen e kufomave të kësaj masakre, të cilat janë rivarrosur në fshatin Suhodoll të Mitrovicës, në fshatin Novolan të Vushtrrisë e në një qendër stërvitore të institucioneve të sigurisë së Serbisë në lagjen Batajnicë të Beogradit.