LAJMET E MBRËMJES

MSH-ja e SHSKUK-ja kritikohen nga deputetët për barna e menaxhim të pandemisë

Në Komisionin për Mbikëqyrje Financiare gjatë ditës ka raportuar ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, zv.ministrja Dafina Gexha dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi. Aty u fol për raportin e auditimit të vitit të kaluar, ku deputetët kritikuan MSh-në, për mungesë barnash, moskoordinim të institucioneve përgjegjëse e menaxhim jo të duhur. Me raportin e auditimit nuk u pajtua drejtori i SHSKUK-së, ndërsa ministri u arsyetua se nuk ka qenë pjesë e ministrisë në atë kohë.

Me kritika të shumta është përballur ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, për kohën sa nuk ka qenë në krye të këtij dikasteri.

Latifi së bashku me zv.ministren Dafina Gexha dhe drejtorin e SHSKUK-së kanë raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me disa raporte të auditimit, për kohën kur Kosova është përballur me valë të infektimeve e vdekjeve nga COVID-19.

Sipas deputetëve, institucionet nuk kanë arritur të sigurojnë as barna të listës esenciale gjatë pandemisë.

“Kemi vërejtur që gjatë kohës së pandemisë institucionet janë përballur me mungesë të barnave. Këto barna në shumë raste është dashur që t'i blinin vetë pacientët. Pacientët është dashur të blejnë barna të listës esenciale”, ka thënë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Njësitet e QKUK-së janë përballur me mungesë të personelit shëndetësor. Në shumicën e spitaleve nuk ka pasur procedura të shkruara për bartjen e pacientëve, ku shpeshherë janë bartur nga familjarët. Të gjetura të tjera janë se ka pasur pritje në Spitalin e Pejës për funksionalizimin e oksigjenit të lëngshëm”, ka thënë deputetja e VV-së, Yllza Hoti.

Temë diskutimi u bë edhe mosqëndrimi i ministrit deri në fund të diskutimit. Ai kritikave iu përgjigj duke thënë se nuk ka qenë pjesë e MSH-së atëherë dhe se e gjithë bota është përballur me probleme të shumta.

“Edhe kirurgët edhe psikiatrit ishin bërë mjek të Covidit. Duke u bazuar nga fakti se ka qenë një periudhë sfiduese, sistemi shëndetësor ka qenë që ka bërë gjithë këto sfida. Sot kemi numrin me të madh të vaksinuarve, 70 për qind të paktën me një dozë”, ka thënë Latifi.

Në mbledhje të komisionit nuk u harrua të përmendej edhe rrëzimi i Qeverisë Kurti në kohë pandemie.

“A është faji i ministrit që SISh nuk është funksional? Ju po harroni, e nderuara kryetare, që në kohë të pandemisë e keni rrëzuar qeverinë”, ka thënë Mirlinda Sadiku nga VV-ja.

“Nuk e keni bërë asnjë hap konkret përveç deklarime folklorike për opinionin, na mund t’i pyesim qytetarët çka keni ndryshuar ju dy mandate, qe patët edhe Kurti 1 që u rrëzua, por edhe Kurti 2, që ndoshta e rrëzon veten, sepse po shihet se nuk ka ndonjë agjendë konkrete të veprimit”, është përgjigjur Hajdar Beqa i PDK-së.

Në raportin e auditimit është përmendur edhe blerja e remdesivirëve nga pacientët, por që me shumicën e gjetjeve të auditimit nuk u pajtua drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi. Në disa raste, sipas tij, ka dështime.