Agjencia Kosovare e Privatizimit ia ka dorëzuar për shfrytëzim kompleksin “Rajska Banja” Ministrisë së Punëve të Brendshme. Paraprakisht, është bërë inspektimi i objektit, e zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kanë konfiskuar sasi të madhe të mishit me afat të skaduar dhe pa dokumentacion të origjinës
Një banor serb pretendon se prona që të martën u mor në administrim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është e tij. Por, të mërkurën kompleksi “Rajska Banja” në fshatin Banjskë iu dorëzua për shfrytëzim Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Kësaj ministrie iu dha për shfrytëzim edhe një aset tjetër në afërsi.
Paraprakisht, në kompleksin “Rajska Banja” u bë inspektimi cep më cep.
Në një konferencë për media, ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla, tha se në kompleks është investuar jashtëligjshëm.
“Pse dikush ka investuar jashtëligjshëm, mendoj që është mësim për të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm, se nuk mund ta bëjnë. Sa i përket menaxhimit të atij kompleksi, Ministria e Punëve të Brendshme është rezultat i bashkimit të dy ministrive, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administratës Publike, e ish-Ministria e Administratës Publike e ka departamentin e menaxhimit të objekteve të këtilla, në pronësi të shtetit”, ka thënë Sveçla. “Kjo është arsyeja pse e kemi marrë në menaxhim dhe destinacionin final të këtij objekti do t’ia paracaktojmë ndërkohë”.
Kompleksi ishte funksional deri në marrjen e tij nga AKP-ja. Hapjen e hotelit në Banjskë e kishte bërë Marko Gjuriq, që aktualisht është ambasador i Serbisë në SHBA. E, bazuar në fotot që ka publikuar faqja e kësaj banje, aty kanë qëndruar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e zyrtarë të Listës Serbe.
Por, të mërkurën në të u has edhe mish me afat të skaduar dhe pa dokumentacion të origjinës.
Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), mishi ishte i vendosur në vende të ndryshme dhe pa mbikëqyrje të temperaturës.
“Kishte produkte dhe nënprodukte të mishit, të vendosura në frigorifer brenda kuzhinave. Për këtë sasi të produkteve mungonte dokumentacioni për origjinën e produkteve. Disa prej tyre nuk kishin etiketa të deklaracionit mbi datat e prodhimit dhe të skadencës. Si të tilla, ekipi inspektues ka vlerësuar se nuk përmbushin kriteret ligjore për konsum. Andaj me procesverbal ka vendosur se të njëjtat duhet të asgjësohen”, thuhet në një përgjigje të AUV-it. “Në momentin që krijohen kushtet teknike dhe logjistike, Inspektorati do të dalë së bashku me Policinë të bëjë asgjësimin e tyre. Mishrat kanë qenë te vendosura në disa frigoriferë të ndryshëm, të cilat kanë qenë pa mbikëqyrje të temperaturave dhe sasia totale do të dihet kur të zhvendosen për asgjësim”.
Të martën, AKP-ja njoftoi se objekti është rinovuar pa leje dhe se është pronë e ndërmarrjes shoqërore “Trepça Standard”.
Bazuar në njoftimet e Policisë, nga AKP-ja kanë thënë se në kompleks janë zhvilluar edhe veprimtari të kundërligjshme.