Dita Botërore e Mjedisit u shënua me aktivitete nga institucione të pushtetit qendror dhe lokal. Ministria e Mjedisit ndau 4.571 kontejnerë për 10 komuna, por ekspertë të mjedisit vlerësojnë se kjo nuk është zgjidhje. Sipas tyre, duhen masa të tjera, pasi problemi është shumë kompleks
Në gjetjet e Raportit të Progresit, Kosovës i kërkohet më shumë përkushtim për t’i adresuar problemet mjedisore. Raporti i Komisionit Evropian rekomandon ndarjen, riciklimin dhe ripërdorimin e mbeturinave, si masë kryesore për përmirësimin e situatës.
E, të mërkurën, në Ditën Botërore të Mjedisit (MMPHI), ministria përgjegjëse për këtë sektor ndau kontejnerë për 10 komuna.
“Përmes grantit të performancës për mjedis të pastër, sot do të ndajmë 4,571 kontejnerë për dhjetë komunat përfituese të grantit të performancës”, ka thënë Jeton Raka, zëvendësministër i MMPHI-së.
Në linjë me gjetjet e Raportit të Progresit është edhe profesori universitar për çështje mjedisore, Zeqir Veselaj.
“Nuk zgjidhet problemi i mbeturinave as me atë kontejner që është shpërndarë sot e as me qesen 5 centë, që e paguajmë ne markete. Është problem shumë më kompleks”, ka thënë Veselaj.
Në një aktivitet tjetër për këtë ditë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se komuna që udhëheq ai ka marrë një sërë masash për ta zbutur ndotjen e mjedisit. Ndër to përmendi stimulimin e ngasjes së biçikletave.
“Të stimulojmë ecjen, të stimulojmë përdorimin e transportit alternativ, siç janë biçikletat, trotinetet e metoda të tjera të transportit urban. E dini që për herë të parë tash në kryeqytet kemi filluar vendosjen e 10 pikave, 100 biçikleta në kryeqytet si iniciativa fillestare”, ka thënë Rama.
Edhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Ambasadën e Suedisë dhe partnerin implementues “PEN,” shënoi Ditën Botërore të Mjedisit, ku të pranishëm i 100 ambientalistë të rinj bënë thirrje për veprim të menjëhershëm nga vendimmarrësit dhe akterët e tjerë në mbrojtje të mjedisit.
Shënimi i Ditës Botërore të Mjedisit u pasua nga një ekspozitë e heshtur e organizuar nga 100 të rinj, duke nxjerrë në pah çështje urgjente, si ndotja e ajrit, shpyllëzimi, mbeturinat, përmbytjet dhe valët e të nxehtit. Secili instalacion në ekspozitë barte një mesazh prekës, duke kërkuar veprime të menjëhershme në mbrojtje të planetit.
“Gjatë punës për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Darfur në vitin 2007 kam parë me sytë e mi se si shpyllëzimi ka nxitur konfliktin në Sudan. Ta mbrojmë planetin duke i ruajtur pyjet dhe burimet ujore në Kosovë”, ka thënë ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
E, profesori Veselaj u shpreh se as pushteti qendror dhe as ai lokal nuk po bëjnë mjaftueshëm për të përmirësuar situatën.
“Është një qasje që quhet piramida e mbeturinave. Bota moderne, vendet perëndimore në radhë të parë shikojnë sot që ta zvogëlojnë prodhimin e mbeturinave, që të gjenerohen sa më pak, më pastaj që mbeturinat të ripërdoren, pastaj të riciklohen, më pas që ato të përdoren edhe si burime energjetike, kuptohet në standarde të larta të ruajtjes së mjedisit dhe tek zgjidhja e fundit është kontejneri dhe deponia. Kjo piramidë te ne si duket është e kthyer mbrapsht”, ka thënë ai.
Raporti i Progresit, punën e Kosovës në këtë sektor e ka konsideruar me përmirësim të kufizuar. Si problem kryesor përmend përfundimin e shumicës së mbetjeve në deponi ilegale. Mbrojtja e lumenjve kërkohet të bëhet çështje emergjente. E ajri i ndotur konsiderohet si kërcënim i madh shëndetësor.