Me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Çështje Politike e ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis, i cili rekomandon Këshillin e Evropës ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare. Tani çështja i kalon Asamblesë Parlamentare, e cila do të mblidhet muajin e ardhshëm. Nëse edhe aty kalon opinioni, vendimmarrja finale i mbetet Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare, që do të takohet në maj
Kosova e ka kaluar me sukses vendimmarrjen e radhës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci, në takimin e së mërkurës në Paris, me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim ka miratuar opinionin e raportueses, Dora Bakojanis, me rekomandimin që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtarja më e re e Këshillit të Evropës.
Sipas njoftimit, Komisioni mirëpriti listën e zotimeve me shkrim nga autoritetet e Kosovës, duke vënë në dukje se “anëtarësimi do të çonte në forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut, duke siguruar qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të jetë katalizator që Kosova të vazhdojë të shënojë përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit dhe të adresojë sfidat e pazgjidhura dhe çështjet shqetësuese", është thënë nga Komisioni për çështje politike.
Më tej theksohet si përparim i madh zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e Manastirit të Deçanit. Asociacioni i komunave me shumicë serbe përshkruhet si “angazhim pas anëtarësimit” në Këshill.
Komisioni rekomandoi gjithashtu që të iniciohet procedurë monitorimi për Kosovën për të siguruar respektimin e zotimeve dhe obligimeve që nga aderimi i saj.
Miratimit të raportit i ka paraprirë debati në Komision, pas të cilit zyrtarë të Ministrisë së Jashtme thanë se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve.
“Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.
Deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, ka publikuar një video me mbishkrimin
“Të fala nga Parisi, bashkë me delegacionet nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.
“Hapi i parë përfundoi, beteja e dytë në mes të prillit në Strasburg në Asamble Parlamentare në Këshillin e Evropës”, ka shkruar ai.
Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar arritje kalimin e raportit në Komision, duke thënë se do të vazhdohet puna me aleatët për anëtarësim.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje në instrumentet e KiE-s nëpërmjet anëtarësimit të plotë të Kosovës”, ka shkruar ajo në rrjetin social X.
Pas kalimit në Komision, opinioni i shkon për votim Asamblesë Parlamentare, e cila zhvillon sesionin e radhës më 16 prill. Nëse merr miratimin e dy të tretave, hapi final është vendimmarrja në Komitetin e Ministrave të vendeve anëtare, i cili takimin e radhës e zhvillon në maj të këtij viti.
Për anëtarësim, Kosovës i duhet mbështetja e dy të tretave të shteteve anëtare sa janë aktualisht në Këshillin e Evropës.