Është miratuar koncepti për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri. Kryeministri Albin Kurti tha se ky institucion do të jetë dëshmi se Kosova nuk i harron krimet që janë kryer ndaj popullit të saj. Vendimi nuk u përkrah nga ministri Nenad Rashiq, i cili tha se është kundër që Serbia të definohet si shtet gjenocidal
Qeveria ka aprovuar të mërkurën konceptin për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri.
Kryeministri Albin Kurti tha se ky institucion do të jetë dëshmi se Kosova nuk i harron krimet që janë kryer ndaj popullit të saj.
“Vendi ynë do të ketë një muze të dinjitetshëm ku do të tregohen krimet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj popullit tonë. Ky muze është institucionalizimi i kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi e sa krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale aq edhe dëshmi se Republika e Kosovës edhe ka ngadhënjyer, edhe nuk harron”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ai ka theksuar se kur janë bërë më shumë se një çerek shekulli nga përfundimi i luftës në Kosovë, një brez i tërë është lindur dhe shtroi nevojën që gjeneratat e reja të kenë mundësinë e njohjes së të kaluarës së Kosovës.
“Të gjitha provat dhe dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës nga shteti i Serbisë në Kosovë, të mbledhura nga organizata dhe gjykata ndërkombëtare, nga hulumtues të botës akademike apo të pavarur, bashkë me prova dhe dëshmi të pambledhura deri më tani, tash po grumbullohen dhe po vazhdojnë të sillen në institucionet e Republikës së Kosovës, për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive duke i sistematizuar dhe kategorizuar ato”, ka thënë kryeministri Kurti. “Ne po shikojmë prapa në kohë që të ecim edhe më sigurt, edhe më shpejt në të ardhmen evropiane e paqësore, demokratike e prosperuese”.
Hapja e rrugës për themelimin e Muzeut të Gjenocidit nuk është përkrahur nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Ai ka abstenuar në votim.
Në një përgjigje për KOHËN, ministri Rashiq tha se krimet nuk duhet të gjeneralizohen dhe se nuk është pajtuar që Serbia të konsiderohet gjenocidale.
“Konsideroj se çdo krim ka emër dhe mbiemër dhe nuk duhet të gjeneralizohen krimet sikur në këtë pikë. Do të thotë, emri i muzeut nuk është adekuat, ‘gjenocidi i Serbisë dhe i Jugosllavisë’. Për shembull ‘gjenocid lufte’, ‘gjenocid nga kriminelët e luftës’, ‘gjenocide të grupeve paramilitare’, ‘krime lufte’ ose ndonjë shprehje tjetër që unë ndoshta nuk mund ta gjej për shkak të gjuhës, por jo të përdoret shteti i tërë sikur të jetë gjenocidal”, ka thënë Rashiqi.
Abstenimin e Rashiqit nuk e komentoi ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, por pranoi se me të ka pasur diskutime për themelimin e muzeut.
Çeku tha se është bërë kujdes që të trajtohet edhe perspektiva e tij në lidhje me këtë institucion.
“Pika ku pajtohemi të gjithë është që e kaluara jonë është ajo që është dhe detyrë e jona është që ta tregojmë ashtu siç është. Në vendimin përfundimtar për themelimin e muzeut tashmë thuhet: dokumentimi dhe prezantimi i krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë”, ka thënë Çeku.
Ministri Çeku ka njoftuar se muzeu fillimisht do të themelohet si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, e pas hyrjes në fuqi të Ligjit për muze do të jetë institucion më vete.
“Institucioni do të vendoset në ndërtesën ku aktualisht është Ministria e Kulturës, ndërsa paralelisht do të zhvillojmë procedurat për zhvendosjen e administratës në një ndërtesë tjetër ose një të re. Kemi ndarë edhe buxhetin e nevojshëm”, ka deklaruar Çeku. “Pas vendimit që muzeu ta ketë ndërtesën kryesore në Prishtinë, kemi ardhur në përfundimin që muzeu të ketë shtrirje edhe territoriale. Pra, ndërtesa kryesore këtu, ndërsa njësi të tjera më të vogla në gjithë vendin tonë, sepse ashtu ka qenë edhe lufta, edhe e kaluara në raport me krimet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë”.
Në mbledhjen ku u mor vendimi për muzeun, kabineti qeveritar ka miratuar edhe nisjen e procedurave për ndërtimin e Spitalit në Ferizaj, në vlerë prej 27.9 milionë eurosh.
Po ashtu janë miratuar edhe disa projektligje, në mesin e së cilave edhe ai për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë, si dhe atë për prodhimin, tregtimin e kontrollin e duhanit dhe produkteve të ndërlidhura me të.