LAJMET E MBRËMJES

Miratohen pa opozitën dy ligje që u kontestohet kushtetutshmëria

Deputetët e pushtetit kanë miratuar të enjten dy ligje, atë për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial, pavarësisht kritikave të vazhdueshme për përmbajtjen që kanë pasur shoqëria civile, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. Miratimi i këtyre dy ligjeve u bë pa prezencën e deputetëve opozitarë, të cilët paralajmëruan se ato do t’i dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese

Deputetët e partisë në pushtet nuk e kanë dëgjuar zërin kundër të vendorëve e ndërkombëtarëve dhe kanë votuar të enjten Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe atë për Këshillin Prokurorial. 

Me pikat e rendit të ditës së seancës së Kuvendit nuk qe e kënaqur opozita që në fillim të mbledhjes. Partia Demokratike propozoi një mocion për ndryshim të rendit, përmes së cilit kërkoi tërheqjen e tri projektligjeve, atij për Komisionin e Pavarur të Mediave, Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe atij për Këshillin Prokurorial. 

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se opozita nuk dëshiron të ketë betejë politike për këto projektligje dhe ofroi mundësinë të punohet bashkë me pushtetin në to.

“Në emër të Grupit Parlamentar propozoj mocion përmbajtjesor që kërkon ndryshimin e rendit të ditës. Kërkojmë që përmes një rezolute ta obligojmë qeverinë për tërheqjen e tri projektligjeve”, ka thënë Tahiri.

Këtij propozimi i dolën në krah edhe dy partitë e tjera në opozitë, LDK-ja e AAK-ja. 

Kryetari i Grupit të Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, tha se shihet i arsyeshëm mocioni meqë, sipas tij, projektligjet janë antikushtetuese.

“Grupi Parlamentar i LDK-së vlerëson se mocioni është i arsyeshëm dhe këto tri ligje kanë përmbajtje kundërkushtetuese dhe si të tilla duhet të tërhiqen nga rendi i ditës dhe Kuvendi të mos i shqyrtojë”, tha Gashi.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se miratimi i tyre do të sjellë pasoja në të ardhmen.

“Si opozitë mendojmë që kjo mund të jetë një ndër seancat më të dëmshme të kësaj legjislature për shkak se ka mundësi t’i miratojë tri ligje që e kanë veç një synim – kapjen e shtetit në mënyrë ligjore të institucioneve të pavarura”, ka deklaruar Tahiri.

Mocioni i opozitës nuk u mbështet nga pushteti dhe si i tillë dështoi. PDK-ja solli një tjetër propozim për rendin e ditës, gjithashtu me përkrahje të pjesës tjetër të opozitës.

“Brenda tre muajve janë arratisur tre persona që kanë qenë të dënuar për vrasje. Asnjë përgjegjësi ligjore e morale nga personat zyrtarë deri tash. Kuvendi nuk mund të qëndrojë indiferent prandaj kërkoj që të trajtohet kjo çështje si pikë e parë e rendit të ditës”, propozoi Blerta Deliu.

As kjo kërkesë nuk u miratua. Në shenjë revolte grupet parlamentare opozitare e lëshuan sallën. 

Radha për trajtim i erdhi projektligjit për Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, amendamentet e të cilit nga tetori i vjetëm nuk arrijnë të shqyrtohen në lexim të dytë, për shkak të dallimeve në qëndrime brenda deputetëve të pushtetit. Njësoj qe edhe të enjten meqë një numër prej më shumë se 15 deputetësh nuk morën pjesë në votim, duke e shtyrë shqyrtimin e tij për një seancë tjetër. 

Dallimet e tilla lanë pa miratim edhe projektligjin për gjendjen civile dhe atë për provimin e maturës shtetërore. 

Telashe u doli edhe me projektligjin për letërnjoftime, meqë votat të cilat përgjatë tërë ditës i patën në kufi, ranë në 60. Problemi ishte te deputeti nga komunitetet Bahrim Shabani, i cili nuk mori pjesë në votim. Goxha gjatë iu kërkua përgjegjësi. Shkurtimisht e nxorën edhe nga salla. Kur u kthye, Shabani ndërroi qëndrim – kalimin e amendamenteve dhe të projektligjit e mundësoi me votë abstenuese.

Pushteti nisi shqyrtimin edhe të tri projektligjeve që i kontestoi opozita. 

Për shkak të refuzimit të deputetit Eman Rrahmani për të marrë pjesë në votim, nuk arritën ta kalonin Projektligjin për Zyrtarët Publikë, derisa me konsensus e miratuan atë për KPK-në. 

Vota pro iu dha edhe Projektligjit për KPM-në, me gjithë kundërshtimet e vendorëve dhe ndërkombëtarëve. 

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Media, Valon Ramadani, tha se të gjitha komentet janë marrë parasysh në 93 amendamentet që i janë shtuar projektligjit.

“Kemi pasur komente të shumta, i kemi analizuar me seriozitet dhe në fund kanë rezultuar me 93 amendamente që e ndryshojnë edhe në përmbajtje këtë projektligj”, u shpreh Ramadani.

Ndaj këtij projektligji abstenoi deputeti Rrahmani dhe Dimal Basha, i cili në seancën e kaluar duke kërkuar miratimin e këtij ligji i ofendoi gazetarët duke thënë se me të Qeveria ua ka ndalur “tagjinë” mediave. 

Projektligji për KPM-në është kritikuar nga shoqëria civile, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. Disa aspekte të Projektligjit janë vlerësuar se nuk janë në përputhje me standardet më të mira evropiane. 

Çështjet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Evropës janë: Ndryshimi i Projektligjit për KPM-në pa koncept-dokument, mënyra e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërje, emërimi, mandati dhe shkarkimi i anëtarëve të KPM-së, largimi i kufizimit ligjor që në të kaluarën ua pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove, dhe mungesa e transparencës gjatë nismës legjislative.

Pas miratimit të ligjeve, ndërkombëtarët kanë shprehur shqetësime e opozita ka paralajmëruar veprime. 

Ambasadorë të akredituar në Kosovë kanë thënë se Qeveria ka injoruar rekomandimet e faktorit ndërkombëtar dhe kësisoj ka humbur mundësinë që të përafrohet me standardet evropiane. 
Dy partitë opozitare, PDK e LDK, kanë paralajmëruar që të dy ligjet do t’i atakojnë në Gjykatë Kushtetuese. 

Nëpërmjet një reagimi shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, u shpreh se përmes votimit të këtyre ligjeve kanë marrë formë përpjekjet e pushtetit për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura.

E, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se përmes votimit ekzekutivi procedoi me veprimet për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura.

“Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë në mbrojtje të ligjshmërisë, të kushtetutshmërisë dhe të interesave të vendit, përmes kundërshtimit edhe të këtyre dy ligjeve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Kritika të njëjta pati edhe nga zyrtarë të LDK-së, të cilët janë shprehur të bindur se Kushtetuesja do t’i rrëzojë këto ligje.

“Nga sot ekipet tona punuese kanë nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e plotë se sikurse në dhjetë rastet e kaluara kundërkushtetuese, edhe dy ligjet e sotme do të marrin të njëjtin përfundim”, thuhet në një komunikatë për media të LDK-së.

Për votimin e këtyre dy ligjeve shqetësime shprehu edhe shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog  i cili tha se Kosova e humbi mundësinë që të përafrohet me standardet evropiane. 

“Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t’i adresonte këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet evropiane. Lidhur me projektligjin për zyrtarët publikë, i bëj thirrje Kuvendit që t’i rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që ai t’i përmbushë standardet e BE-së dhe ato evropiane”, është shprehur ai.

Ndërkaq ambasadori gjerman, Jorn Rohde, theksoi se Qeveria e Kosovës i ka injoruar rekomandimet e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për Projektligjin për Këshillin Prokurorial dhe atë të Komisionit të Pavarur për Media.

“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të përshpejtojë rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet evropiane. BE-ja, KiE-ja dhe OSBE-ja kanë dhënë rekomandimet e tyre për ligjet, por janë injoruar”, ka potencuar ai.

Ndaj miratimit të Ligjit për KPM-në ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili e quajti goditje ndaj lirisë së mediave dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre.

“Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje kanë bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre”, thuhet në shkresën e AGK-së.

Ndërkaq miratimin e këtij ligji e quajti ditë të zezë për lirinë e mediave dhe demokracinë sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez. 

Njësoj keqardhje shprehu edhe misioni i OSBE-së në Kosovë.