Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuza për mosdeklarim të pasurisë ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Gjyqtari Dibran Jusufi, në seancën e së martës, tha se ajo që e ka bërë ministrja Gërvalla hyn në kuadër të kundërvajtjes.
"Gjykata thekson se në Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë dhe Deklarimin, Prejardhjen, Kontrollin e Dhuratave është përcaktuar se kushdo që shkel detyrimet e caktuara me këtë ligj që nuk janë vepra penale, zyrtari i lartë bën kundërvajtje dhe dënohet. Nga përshkrimi ligjor rezulton se për mosdeklarim ose deklarim të pasaktë të pasurisë së fituar në mënyrë të ligjshme, nga neglizhenca e deklaruesit paraqet veprim të kundërligjshëm, por nuk tërheq përgjegjësi penale", tha ai.
Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzon Gërvallën për mosdeklarim të pagës së bashkëshortit, për deklarim të pasaktë të pronës në Dubonik të Deçanit, 2000 m2 në deklaratë e 3964 m2 në të vërtetë, si dhe për mosdeklarimin e pronësisë në kompaninë “Alb Lingua UG” në Gjermani.
Por, gjyqtari Jusufi, 45 minuta pas përmbylljes së procesit, shpalli aktgjykimin ku konstatoi se për mosdeklarim të pasurisë dënohen personat që kanë fshehur qëllimshëm pasurinë e krijuar në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas Jusufit, ministrja Gërvalla ka bërë kundërvajtje, por nuk ka kryer vepër penale.
“Qëllimi i këtij neni është inkriminimi i zyrtarit publik vetëm po qe se pasurinë nuk e ka deklaruar fare apo e ka deklaruar rrejshëm dhe atë pasuri e ka fituar në mënyrë të paligjshme dhe të njëjtën nuk mund ta arsyetojë se si ka ardhur deri te ajo pasuri, por në asnjë rrethanë pasurinë të cilën e ka realizuar në mënyrë të ligjshme, e të cilën e ka deklaruar e në rastin konkret deklarimi është bërë nga e pandehura por nuk është deklaruar saktë. Sikur qëllimi i ligjvënësit të ishte që çdo deklarim i pasaktë të konsiderohej vepër penale, nuk do ta përdorte shprehjen ‘nëse nuk është vepër penale’”.
Po ashtu, gjyqtari Jusufi konstatoi se kompania “Alb Lingua UG” nuk i ka krijuar të hyra të akuzuarës.
E Gërvalla i kërkoi gjykatës të ketë mirëkuptim, pasi më herët nuk ka plotësuar formularë për deklarim të pasurisë më parë.
Ngjashëm, edhe lidhur me tokën që e deklaroi gati dyfish më të vogël, gjykata konstatoi se deklarimi është i pasaktë dhe nuk hyn në domenin e veprës penale.