LAJMET E MBRËMJES

Ministria e Mbrojtjes bëhet me 100 hektarë në Batllavë

Një sipërfaqe prej 100 hektarësh i është dhënë në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes, për zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale të ushtrisë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se gjatë gjithë mandatit ushtria është forcuar nëpërmjet vendimeve të kësaj natyre

Ministrisë së Mbrojtjes i janë dhënë në shfrytëzim 100 hektarë në Batllavë, hapësirë kjo që është në pronësi të Agjencisë së Pyjeve.

Propozimin për këtë e ka bërë të premten ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë mbledhjes së Qeverisë.

“Duke pasur parasysh rëndësinë që ka kjo pronë për zhvillimin, për ngritjen e kapaciteteve operacionale të ushtrisë sonë, kërkoj nga ju aprovimin për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone për Ministrinë e Mbrojtjes”, ka theksuar Maqedonci.

Qeveria e ka aprovuar këtë kërkesë. E, kryeministri Albin Kurti ka thënë se dita kur është marrë vendimi ka edhe një rëndësi simbolike.

“Ushtrinë tonë po e rrisim dhe forcojmë. Më shumë dinjitet, më shumë kushte, më shumë buxhet e më shumë armatim po i shtohet Forcës së Sigurisë së Kosovës. E në ditën e ditëlindjes së heroit tonë Zahir Pajaziti, pra më 1 nëntor të vitit të kaluar e kemi bërë pranim-dorëzimin e Aeroportit të Dumoshit, ndërkaq sot. në datën e rënies së Zahir Pajazitit do të marrim vendim për dhënien në shfrytëzim për ushtrinë të hapësirës në Batllavë”, ka thënë ai.

Sipas kryeministrit, hapësira do të vihet në shfrytëzim për ngritjen e kapaciteteve operacionale të ushtrisë.

Gjatë mbledhjes së të premtes, Qeveria ka ndarë gjysmë milioni euro për mbështetjen humanitare të popullit palestinez në Gazë.

Në mbledhjen e Qeverisë, në të cilën është marrë vendimi, kryeministri Kurti ka bërë thirrje që armëpushim i përkohshëm të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme mes Palestinës dhe Izraelit.

“Si qeveri e përshëndesim marrëveshjen e armëpushimit të arritur në Gazë, si rezultat i së cilës faza e parë në këtë marrëveshje parasheh krijimin e mundësisë së dërgimit të ndihmave për popullin palestinez”, ka thënë Kurti.

Qeveria ka marrë të premten edhe një numër vendimesh, përfshirë atë për pagesë të 224 specializantëve me vetëfinancim dhe të 30 të tjerëve të kësaj kategorie, e të cilët janë nga Lugina e Preshevës dhe nga Mali i Zi.