Masa ndëshkuese për të gjithë personat që nuk deklarojnë të ardhurat personale e i shmangen tatimit, ka paralajmëruar ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai në një konferencë për media ka ftuar të gjithë qytetarët që deri më 31 maj ta plotësojnë një formular elektronik, në të cilin tregojnë për të gjitha fitimet që marrin në muaj, 10 për qind të të cilave do t’i ndalë shteti
Në prag të përfundimit të afatit vjetor për deklarimin e të ardhurave personale, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se çka duhet të deklarojnë qytetarët.
Gjatë një konference për media, ministri ka thënë të hënën se qytetarët të cilët gjenerojnë të hyra gjatë vitit, e që nuk tatohen në burim, siç ndodh me pagën, duhet të plotësojnë deklaratën tatimore në të ardhurat personale, e cila është e qasshme në formë elektronike.
Ai ka thënë se për të gjitha këto të ardhura personale, për të cilat nuk është paguar tatim deri tani, vlera tatimore llogaritet të jetë rreth 10 për qind.
“Pra, nëse kanë pasur fitim kapital nga shitblerja e pronave, kanë pasur fitim kapital nga shitja e kriptovalutave, kanë pasur fitim kapital nga dhënia ose këmbimi i tokës me banesa, apo rasteve të tjera, shitja e aksioneve e të tjera, në kompani të ndryshme, duhet ta e plotësojnë këtë formular. Nëse kanë pasur të ardhura nga qiraja duhet ta plotësojnë këtë formular”, është shprehur ministri Murati.
Ai ka theksuar se duhet të paguhet tatim në shkallën 10 për qind edhe për të ardhura nga rrjetet sociale.
“Fitimi ose të ardhurat e tjera mund të llogariten edhe të ardhurat që janë me burim nga jashtë, pra mund të jenë të ardhura nga puna ‘freelance’. Kemi shumë të rinj që punojnë disenjatorë, programerë, apo profesione të tjera, por që nuk e kanë idenë (se a duhet të paguajnë tatim). Kjo është për t’i sqaruar që edhe ata janë të obliguar të deklarojnë të ardhurat e tyre që fitojnë nga puna ‘freelance’ dhe ta paguajnë atë tatim në mënyrë që të mos kenë telashe sa i përket zbatimit të ligjit”, ka thënë ministri i Financave. “Çështje tjetër mund të jenë edhe të ardhurat nga Youtube, apo rrjetet sociale, ka edhe Google Ads, të ardhura nga Youtube, nga video të ndryshme, të gjitha këto janë të ardhura që duhet të shënohen në këtë deklaratën e të ardhurave personale dhe pastaj të barazohemi me ATK-në”.
Ministri Murati ka theksuar se deklarimi i këtyre të ardhurave do ta lehtësojë zbatimin e një ligji që ka qenë edhe më herët në fuqi, por që nuk ka pasur interesim për t’u zbatuar, dhe ka paralajmëruar edhe masa ndëshkimore ndaj atyre që nuk e zbatojnë ligjin.
Gjatë konferencës, ministri i Financave nuk pranoi t’u përgjigjet pyetjeve në tema të tjera, përpos atyre që lidheshin me çështjen e tatimit në të ardhurat personale. Ai nuk dha përgjigje të plotë në pyetjen për 100 eurot e premtuara për secilin të punësuar në sektorin privat, mjete këto që ende nuk janë ekzekutuar. Ai vetëm ka theksuar se ekzekutimi do të bëhet shumë shpejt.
Më 31 maj përfundon afati për deklarimin e të ardhurave personale për të gjithë qytetarët e Kosovës.