Gjatë ditës, qytetarë të shumtë festuan në sheshet e kryeqytetit. Shumë nga ta theksuan rëndësinë që ka edukimi i fëmijëve për ngjarjet me rëndësi kombëtare.
Në mes të atmosferës festive në Prishtinë, Jeta Qitaku po ia shpjegon djalit të saj rëndësinë e 28 Nëntorit, ditës së pavarësisë së Shqipërisë e njëkohësisht edhe ditës së flamurit.
Ajo thotë se është e rëndësishme t’u flitet fëmijëve për historinë kombëtare.
“Për ne, Shqipëria, historia mësohet dhe përjetohet çdo ditë. Vetëm në këtë formë besoj do ta ruajmë identitetin dhe kulturën tonë si shqiptarë. Natyrshëm t’i mësojmë fëmijët tanë të festojnë dhe ta duan flamurin, Shqipërinë, Kosovën edhe... vlerat kombëtare”, ka thënë ajo.
Qytetarë të shumtë, të shoqëruar me flamuj kombëtarë, festuan nëpër sheshet e Prishtinës.
“Është një festë shumë e madhe për popullin tonë shqiptar, kështu që po kalojmë bukur. Prishtina gjithmonë ka ditur ta festojë këtë festë që ka shumë vlera botërore”, u shpreh Basri Magashi.
“Duhet të dilet, të mos i harrojmë aktivitetet. Pavarësisht që ndoshta për dikë është kohë e gjatë, 112 vite a sa janë... për rëndësinë e sakrificave që kanë kaluar. Kjo simbolizon, se është themeli i shtetit”, ka thënë Gëzim Esati.
“28 Nëntori, një festë që prej vogëlie e kemi kremtuar, si familje por edhe jemi rritur në atë atmosferë. Sot po kalojmë mirë, shpresoj që të festojmë gjithmonë”, ka deklaruar Erblin Shkodra.
Disa nga prindërit treguan se, edhe nëpërmjet vargjeve, synojnë që te fëmijët ta memorizojnë rëndësinë e ngjarjeve me rëndësi kombëtare.
Për Ditën e Flamurit, aktivitete të shumta u mbajtën edhe në qytete të tjera të Kosovës.