Pesë ditë pas incidentit me të cilin është përballur presidentja Vjosa Osmani, në Maqedoni të Veriut ka qëndruar për vizitë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai është takuar me homologun e tij maqedonas, i cili ka shprehur keqardhje për rastin e ndodhur në Aeroportin e Shkupit, derisa që të dy liderët janë shprehur të bindur në marrëdhëniet fqinjësore mes dy shteteve
Incidenti me presidenten Vjosa Osmani nuk do të ndikojë në raportet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, thanë të hënën në Shkup liderët e të dyja shteteve. Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur në Aeroportin e Shkupit, të enjten.
“Neve na vjen keq dhe nuk duam të përsëritet. Unë theksova se presidentja e Kosovës është e mirëseardhur ashtu sikurse edhe të gjithë qytetarët e tjerë nga Kosova. Herën e ardhshme, nëse informohem me kohë, do të kem kënaqësinë ta pres si nikoqir në Aeroportin e Shkupin dhe të jemi bashkë e ta shoqëroj gjatës kohës që kalon në Aeroportin e Shkupit që tu shmangemi këtyre incidenteve dhe veçanërisht sjelljeve të individëve që është problem i brendshëm, do ta zgjidhim brenda në shtetin tonë”, tha Mickoski në konferencë për media me Kurtin.
Kryeministri Mickoski ka siguruar se ndaj zyrtarëve përgjegjës do të ndërmerren masat e nevojshme, pas hetimit që do të bëhet. Duke folur për pjesëtarin e sigurimit të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ka thënë se nëse institucionet kontaktojnë kryerje të veprës penale personi do të nxirret para drejtësisë.
“Askush nuk do të jetë mbi ligjin në këtë vend, derisa unë jam kryeministër nuk do të ketë askush mbi ligjin”, ka thënë ai.
E kryeministri Albin Kurti tha se hollësitë e rastit do të zbardhen nga raporti zyrtar që do të hartohet.
“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes Vjosa Osmani me 2 gusht në aeroportin e Shkupit aq më tepër që ka qenë me familje dhe me dy vajzat e vogla. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje në tërësi dhe hollësi, edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten kurrë më situatat e tilla”, tha ai.
Sipas Kurtit, nga takimet që ka zhvilluar në Shkup, fillimisht vetëm me kryeministrin maqedonas e më pas edhe me anëtarë të kabinetit qeveritar, por edhe nga reagimet paraprake të tyre në lidhje me ngjarjen, është optimist se situata të tilla nuk do të përsëriten.
Nga Zyra e Kryeministrit sqaruan të hënën se vizita e Kurtit në Maqedoni ka qenë e aranzhuar që nga 20 korriku, afro dy javë para se presidentja Osmani të pengohej në Aeroportin e Shkupit. Këtë vizitë kryeministri maqedonas e vlerëson si konfirmim të marrëdhënieve të mira mes dy shteteve.
“Mendoj që vetë takimi dhe ky takim pune gjatë të cilit kemi hapur të gjitha ato çështje që janë të rëndësishme për të dyja qeveritë vërtetojnë dhe konfirmojnë që jo vetëm se nuk janë përkeqësuar marrëdhëniet diplomatike, por këto marrëdhënie do të fitojnë edhe dimensione të reja në kuptimin pozitiv në të ardhmen”, ka thënë ai.
Kryeministri Mickoski bëri të ditur se dy incidente të ngjashme si ajo me presidenten kanë ndodhur edhe vitin e shkuar, por për të cilat nuk shpalosi detaje.
Javën e kaluar nga Presidenca bënë të ditur se Vjosa Osmani është përballur me provokime të autoriteteve gjatë kalimit në aeroportin e Shkupit. Sipas tyre, asaj në kundërshtim me rregullat i është kërkuar që të skanojë telefonin. Autoritetet në Maqedoni u arsyetuan se procedurat e ndjekura janë standarde dhe se të njëjtat aplikohen ndaj të gjithë udhëtarëve, përfshirë edhe atyre që përdorin zonën VIP. Në lidhje me rastin, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka dërguar notë protestë Maqedonisë së Veriut.