LAJMET E MBRËMJES

Mësimdhënësit klasorë, ata të shqipes e matematikës të parët që hyjnë në provim për pagë më të lartë

“Për licencë të avancuar në fazën e parë, gjatë verës së këtij viti, provimi për licencën e avancuar do të zhvillohet për mësuesit klasorë nga klasa e parë deri në klasën e pestë, për mësuesit e gjuhës shqipe dhe ata të matematikës. Menjëherë në fazën e dytë do të zgjerohet edhe me mësimdhënësit e tjerë”, ka thënë Nagavci të martën, tek ka shtuar se në qershor do të nisin edhe aktivitetet për njoftimin e stafit të shkollave lidhur me licencën e avancuar

Mësimdhënësit klasorë, ata të lëndës së gjuhës shqipe dhe të matematikës do të jenë të parët të cilët do t’i nënshtrohen provimit me shkrim për të fituar licencën e avancuar, ka bërë të ditur të martën ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.

Në prezantimin e Udhëzuesit dhe të pakos së instrumenteve për realizimin e vlerësimit të brendshëm të performancës së mësimdhënësve, Nagavci ka thënë se provimi të cilit mësimdhënësit do t’iu nënshtrohen në bazë vullnetare do të mbahet gjatë verës.

“Për licencë të avancuar në fazën e parë, gjatë verës së këtij viti, provimi për licencën e avancuar do të zhvillohet për mësuesit klasorë nga klasa e parë deri në klasën e pestë, për mësuesit e gjuhës shqipe dhe ata të matematikës. Menjëherë në fazën e dytë do të zgjerohet edhe me mësimdhënësit e tjerë”, ka thënë ajo.

Nagavci ka theksuar, po ashtu, se gjatë muajin qershor do të fillojnë edhe aktivitetet për njoftimin e stafit të shkollave lidhur me licencën e avancuar.

Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) shpeshherë janë deklaruar kundër testimit të mësimdhënësve. Më herët, në SBASHK kanë thënë se testimi i mësimdhënësve do të pasojë me greva në sistemin arsimor.

Por Ymer Ymeri, përfaqësuesi i SBASHK-ut, ka thënë se është pro provimit, pasi që nuk e vlerëson si testim por si kualifikim.

“Kemi thënë që vlerësimi duhet të bëhet duke u bazuar në klasë sesi po mbahet mësimi. Çdo herë kemi qenë kundër një testimi që ka qenë bukfal, ai testim ekziston në këtë udhëzues, është një provim vlerësues por nuk është, është vetëm për t’i kualifikuar se kush mundet të aplikojë për vlerësim që është në përputhje me ne, dhe urojmë që të fillojë sa më shpejt”, ka thënë ai.

Për licencën e avancuar mund të aplikojnë vetëm mësimdhënësit të cilët janë të pajisur me licencë të karrierës dhe që kanë mbajtur së paku 200 orë për zhvillim profesional. Ata më pas do t’i nënshtrohen vlerësimit edhe nga Inspektorati i Arsimit. Shtatë vjet pasi ta marrin këtë licencë, mësimdhënësit mund të aplikojnë për licencën e përhershme, e cila nuk ka afat kohor dhe nuk ka nevojë për ripërtëritje.

Në Ministri treguan se për licencë të avancuar mund të aplikojnë 750 mësimdhënës, të cilët i janë nënshtruar vlerësimit të performancës, proces i cili është zhvilluar nga viti 2018 deri më 2020, kur është ndërprerë për shkak të pandemisë.

Me Udhëzimin e ri Administrativ, të miratuar në qershor të vitit 2023, mësimdhënësit kanë tri lloje të licencave – ajo e karrierës, e avancuar dhe licenca e përhershme.

Licencën e karrierës mund ta marrë çdo mësimdhënës që kalon me sukses vlerësimin e performancës nga shkolla. Mësimdhënësi vlerësohet nga drejtori i shkollës, nga mësimdhënësit e tjerë dhe nga nxënësit. Kjo licencë ka afat shtatë vjet dhe duhet të ripërtërihet, pasi që mësimdhënësi i mban së paku 100 orë për zhvillim profesional. E pas kësaj, mund të aplikojë për licencë të avancuar.