LAJMET E MBRËMJES

Mësimdhënësit kërkojnë nënshkrimin e Kontratës Kolektive dhe rritje pagash

Me moton “Qeveri, realizo kërkesat tona, parandalo veprimet e tjera sindikale!”, qindra mësimdhënës kanë protestuar për mosnënshkrimin e Kontratës Kolektive si dhe për rritjen e pagave. Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj u ankua për mungesë dialogu social me Ministrinë e ministrja Arbërie Nagavci theksoi se protesta është e motivuar politikisht në prag të fushatës elektorale.

Qindra mësimdhënës nga shumë komuna të Kosovës protestuan me kërkesën për nënshkrim të Kontratës Kolektive.

Me pankarta në duar ata marshuan nga Biblioteka Kombëtare në drejtim të Ministrisë së Arsimit e më pas vazhduan tek objekti i Qeverisë.

Deri tek objekti i Ministrisë së Arsimit protestuesit shpërfaqën kritika për krerët e shtetit.

Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj tha se pavarësisht tentativave për dialog me Ministrinë, kjo nuk është arritur.

“Në këtë protestë po përfaqësoni gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit dhe jemi këtu, pas gjithë përpjekjeve me muaj të tërë për dialog, kur Qeveria Kurti dhe ministrja Nagavci kanë vazhduar qasje të gabuar. U munduan ta shuajnë SBASHK-un që të heshtet zëri i punëtorëve arsimorë dhe të mos dëgjohen kërkesat e tyre legjitime, por SBASHK-u nuk shuhet dot”, theksoi Jasharaj.

Pritje për përmbushjen e kërkesave, përfshirë rritjen e pagave, patën edhe mësimdhënësit.

“Jemi të shkelur, jemi të abuzuar pikërisht nga Ministria e Arsimit dhe nga kryeministri, nuk e di për çfarë arsye, po kërkesat e viteve të kaluara kanë hasur në vesh të shurdhur, asnjëherë nuk ka pasur dialog rreth kërkesave tona”, deklaroi mësimdhënësi Naim Lumi. 

E ministrja Arbërie Nagavci tha se protesta është e motivuar politikisht në prag të fushatës elektorale.

“Unë kam takuar dje kryesinë e SBASHK-ut, bashkëpunimi nuk ka munguar asnjëherë, as prej anës sime, as prej anës së Ministrisë së Arsimit. I thashë edhe zotëri Jasharit dje që nuk është që nuk kam pritë veprime të tilla në kohë të fushatave, duke pasë parasysh që gjithmonë në kohë të fushatave, SBASHK-u ka pasë pozicionime të tilla, të cilat nuk i ndihmojnë as arsimit e as fëmijëve tanë”, deklaroi Nagavci.

Dy vjet më parë Ministria e Arsimit ka shkëputur Kontratën Kolektive me SBASHK-un me arsyetimin se në kohën kur është nënshkruar ka pasur mungesë legjitimiteti të ministrit.