I është vënë dryni përfundimisht grupit “Albkings” në kuadër të rrjetit social Telegram, ku shpërndaheshin fotografi intime të grave e vajzave, si dhe numrat kontaktues të tyre. Autoritetet kanë arrestuar shtatë persona, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka bërë thirrje viktimave të ofrojnë informata për rastin
Janë arrestuar shtatë persona, gjashtë burra dhe një grua, si pjesë e grupit “Albkings” që ka funksionuar në rrjetin social Telegram, e ku janë shpërndarë fotografi intime të grave e vajzave, si dhe numrat kontaktues të personave që më pas janë ngacmuar përmes thirrjeve dhe mesazheve.
Ata janë ndaluar, si të dyshuar për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve të një numri qytetarësh.
Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, tha se hetimet po vazhdojnë dhe se mund të zgjerohen te më shumë njerëz.
“Prokuroria Themelore e Prishtinës ka arritur me sukses të gjurmojë, të zbulojë dhe t’i arrestojë të gjithë kryesit e veprës së vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve. Kemi arritur që në këtë rast, sa i përket identifikimit të personave, t’i arrestojmë brenda afatit më të shkurtër kohor, ku cak kanë qenë qytetarët e Kosovës, duke ua cenuar rëndë integritetin e tyre”, ka thënë kryeprokurori Gashi. “Sot i kemi shtatë persona të cilët i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të vazhdimit dhe të zgjerimit te personat e tjerë”.
Prokurorja e rastit, Elza Bajrami, tregoi se hetimi është realizuar përmes masave të fshehta. Ajo u bëri thirrje viktimave ta mbështesin Prokurorinë, duke ofruar informacione.
“Dyshohet se kryerësit mund të jenë kryerës edhe të disa veprave të tjera penale. Ne ju bëjmë apel të gjithë personave të dëmtuar në këtë rast, të cilët janë qytetarë, janë figura të larta publike në vendin tonë, që të paraqiten qoftë në polici, qoftë në prokurori, për të bashkëpunuar ngushtë me ne në mënyrë që suksesshëm t’i luftojmë dukuritë kriminale dhe që bindshëm të vërtetohen veprimet inkriminuese të secilit të pandehur”, ka thënë prokurorja Bajrami.
Prokurorja bëri të ditur se grupit “Albkings” tashmë i është vënë dryni përfundimisht.
“Ne kemi arritur që këtë grup ta mbyllim përfundimisht, edhe përkundër faktit se që nga mbyllja e parë grupi është rihapur edhe dy herë të tjera”, ka thënë prokurorja Bajrami.
Gratë dhe vajzat, përfshirë të mitura, kanë qenë viktimat kryesore të grupit “Albkings”. Në këtë grup janë shpërndarë fotografi dhe video eksplicite kryesisht të vajzave dhe grave, të dhëna personale, si numri i telefonit, vendbanimi e llogaritë në rrjete sociale.
Materialet që janë shpërndarë janë edhe të vajzave nën moshën 18-vjeçare, e në disa raste përdoruesit kanë shprehur frikën nga Policia për këtë veprim.
Më 28 janar KOHA ka raportuar se ky grup i kishte rreth 100 mijë përdorues, kryesisht me emra burrash shqiptarë, 30 mijë foto dhe 20 mijë video.