LAJMET E MBRËMJES

Mbi 22 vjet burgim për katër të akuzuarit për vrasjen e Ivanoviqit

Me mbi 22 vjet burgim janë dënuar katër të akuzuarit për vrasjen e politikanit serb të veriut, Oliver Ivanoviq. Një u lirua e ndaj një tjetri prokuroria paraprakisht hoqi dorë nga ndjekja penale. Por, mbeten në arrati pesë të akuzuar të tjerë, përfshirë Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radoiçiqin

Ka marrë epilog në shkallë të parë procesi gjyqësor për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Trupi gjykues ua shqiptoi dënimin në total prej mbi 22 vjetësh burgim katër të akuzuarit, ndërsa një e liroi.

Me aktgjykimin që u kumtua nga gjyqtari Valon Kurtaj, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u shpall fajtor Marko Roshiq, i cili u dënua me 10 vjet burgim, e me nga katër Nedeljko Spasojeviq, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq.

“Me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, gjykata dënoi Nedelko Spasojeviq, për pjesëmarrje në një grup kriminal që e organizoi vrasjen e Oliver Ivanoviqit gjashtë vjet më parë. Për pjesëmarrje në një grup kriminal që e organizoi vrasjen e Oliver Ivanoviqit gjashtë vjet më parë, është dënuar edhe Marko Roshiq, me dhjetë vjet burgim. Zharko Jovanoviq është shpallur fajtor bashkëkryerje për keqpërdorim të detyrës zyrtare” burgim 4 vitesh dhe për ”armëmbajtje pa leje” dënim me gjobë 1500 euro.

Ndërkaq, Dragisha Markoviq është shpallur fajtor bashkëkryerje për “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dënim me burgim 4 vjet”, ka njoftuar gjyqtari Kurtaj.  

Avokati Dejan Vasiq, paralajmëroi ankesë në Apel.

“Mendoj se dënimet janë drakonike, por gjykata ka vendosur kësisoj, dhe kjo është vetëm pjesa e parë e këtij rasti dhe pjesa e dytë do të jetë para Gjykatës së Apelit”, tha ai.

Kur vendimi u shpall, të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.

Ndërkaq, për vrasjen e politikanit Ivanoviq, ndodhen në kërkim edhe Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq, Milan Radoiçiq dhe dy të pandehur të tjerë të panjohur.

Javën e shkuar, prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale e Rade Basaras, ish-policit që akuzohej si pjesë e grupit kriminal që e ka ndihmuar dhe organizuar vrasjen.

E, me aktgjykimin e shkallës së parë për këtë rast, u shpall e pafajshme Sillvana Arsoviq. Avokati i saj, Musa Demati tha se shumë të panjohura ka në vrasjen e politikanit serb.

“Rasti i njohur Ivanoviç për nga niveli i misterit dhe enigmës mund të krahasohet me rastin e vrasjes së presidentit amerikan, John Kennedy”, ka thënë ai.

Politikani serb, Oliver Ivanoviq, u vra në Mitrovicën e Veriut më 16 janar 2018, afër selisë së subjektit politik që përfaqësonte – Nismës Qytetare “Liri, Demokraci dhe Drejtësi”. Ai ishte prej kritikëve më të mëdhenj të Listës Serbe, subjekt politik që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Milan Radoiçiq, i cili është një nga të akuzuarit që ndodhet në arrati, ka qenë nënkryetar i Listës Serbe. I njëjti ka udhëhequr grupin terrorist serb që organizoi sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar. Pas publikimit të pamjeve nga vendstrehimi i këtij grupi, Radoiçiqi e ka pranuar publikisht se ishte në krye të këtij sulmi, nga i cili u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.