Mijëra gra në Kosovë vazhdojnë të jenë viktima të dhunës në familje dhe fajtor për shifrat e larta të raportuara konsiderohet mosefikasiteti i institucioneve në trajtimin e rasteve. Me qëllim të ndërgjegjësimit dhe parandalimit të kësaj dukurie shqetësuese, ka nisur fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”
Që nga fillimi i vitit 2024, 2055 gra janë raportuar si viktima të dhunës në familje. Shifra, ndonëse për 65 raste më e ulët se një viti më parë, mbetet edhe më tej shqetësuese.
Viktimat më së shpeshti sulmohen nga bashkëshortët, prindërit ose fëmijët e tyre.
Në kuadër të ndërgjegjësimit për luftimin e kësaj dukurie, të hënën ka nisur fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me moton “Sot dhe çdo ditë tjetër”.
Adelina Berisha, menaxhere e programit për adresimin e dhunës me bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, ka theksuar se dështimet e vazhdueshme në parandalimin e rasteve të dhunës janë rezultat i mosefikasitetit të institucioneve.
“E dimë që ka ndodhur vrasja në Qendër për Punë Sociale në Ferizaj. Ne e dimë që për shkak të moslëshimit të urdhrit mbrojtës nga një gjyqtar kemi rastin e Diana Kastratit që ka ndodhur. Për shkak të moslëshimit dhe mosbesimit të Valbona Markut në Gjakovë, ushtruesi ka shkuar dhe tek familja e vëllezërve atje dhe e ka vra viktimën. Pra, të gjitha këto kanë qenë raste të njohura për institucionet, po që diku institucioni ka dështuar ta mbrojë viktimën”, tha Berisha.
Për të shënuar fillimin e fushatës, të hënën në të gjitha shkollat ora e parë i është kushtuar ndërgjegjësimit kundër dhunës me bazë gjinore.
E në kuadër të saj, Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me KEDS-in dhe organizatën “UN Women” kanë realizuar pikturimin e transformatorëve elektrikë me ngjyrë portokalli.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të zbatojnë legjislacionin në fuqi për ndëshkimin maksimal të dhunuesve.
“Nëse shohim Kodin Penal, vepra e dhunës në familje parasheh dënim me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet. Por deri më tani nuk kemi asnjë dënim deri në maksimumin që e parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Prandaj po e shfrytëzoj edhe këtë organizim që të bëj thirrje tek institucionet e drejtësisë që të zbatojnë me përgjegjësinë më të lartë nenin që ndërlidhet me dhunën në familje, që dhunuesve t’ua japin dënimin e merituar me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet. Kjo është ajo çfarë parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.