Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gratë në Prishtinë kanë marshuar për të kërkuar barazi dhe drejtësi për gratë e vrara ndër vite nga bashkëshortët e partnerët e tyre. Gjatë marshimit me moton “Marshojmë për njëra-tjetrën”, pjesëmarrëset hodhën ngjyrë dhe bomba tymi të kuq para objekteve të Qeverisë, Policisë dhe Këshillit Gjyqësor
Emrat e grave të vrara ndër vite nga bashkëshortët e tyre janë lexuar në sheshe e rrugë të Prishtinës gjatë marshit protestues të organizuar për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Nën organizimin e kolektivit “Marshojmë, s’festojmë”, protestueset kërkuan drejtësi për gratë e vrara. Ecjen e nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti”, ato e ndaluan para objektit të Policisë, atij të Këshillit Gjyqësor dhe të Qeverisë, te të cilat hodhën ngjyrë dhe tym të kuq.
Alba Ajdarevikj, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, e kualifikoi protestën si
thirrje kundër dhunës dhe trafikimit të grave e vajzave, jo vetëm në Kosovë por kudo në botë.
“Për integritetin dhe mirëqenien e të gjitha grave në punë, shkollë, shtëpi e rrugë. Ky marsh na bën thirrje t’i bëjmë ballë të vërtetës se jeta e dinjiteti i grave në Kosovë nuk ka qenë e as nuk do të jetë primarë në sistemin patriarkal, kapitalist e në të gjitha format e shtypura”, ka thënë Ajdarevikj.
Ajo numëroi edhe rastet e disave grave të vrara e të cilave shteti ka dështuar t’u ofrojë mbrojtje.
“Për Erona Cokli, e cila dhunshëm u vra nga ish-burri i saj në Qendrën për punë sociale në Ferizaj. Për Gjyljeta Ukella, e cila po ashtu u vra nga burri i saj në Pejë vetëm pesë ditë më vonë. Për gruan e dhunuar me aftësi të kufizuara në Gjilan e për të miturën e përdhunuar e trafikuar në Prishtinë gjatë kohës kur institucionet do të duhej ta mbronin”, ka shtuar Ajdarevikj.
Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohet në mbarë botën në çdo 8 mars për nder të lëvizjes së grave për të drejtat e tyre. Në Kosovë, vitet e fundit kjo ditë është shënuar me marsh për vetëdijesim për të drejtat e grave dhe për barazi gjinore.