Pasi presidentja Vjosa Osmani kërkoi raport të detajuar në lidhje me shqetësimet e ngritura rreth furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dal me një sqarim. Ai pranoi se ka probleme e vonesa në furnizim me ushqim, por për këtë ai fajësoi proceset e prokurimit dhe operatorët ekonomikë. Për këtë çështje nesër kuvendi i Kosovës do të mbaj seancë të jashtëzakonshme.
Pas publikimit të fotografive të shujtave, si dhe ankesave të pjesëtarëve të FSK-së për ushqimin, Maqedonci ka dal të dielën me një sqarim.
Ai fajësoi proceset e prokurimit dhe operatorët ekonomikë.
“Që nga themelimi i FSK-së në vitin 2009, pothuajse çdo herë pas përfundimit të kontratave trevjeçare, si rezultat i ankesave nga operatorët ekonomikë të cilat janë adresuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, janë zhvilluar procedurat për lidhjen e kontratave emergjente. Vetëm nga viti 2015 e deri më tani janë dhënë 10 kontrata sipas procedurave ekstrem emergjente. Këto çështje kanë krijuar situata jo të mira dhe probleme të vazhdueshme, duke rrezikuar integritetin e proceseve dhe që si rezultat kanë ndikuar në dëmtimin e imazhit publik të FSK-së dhe mirëqenien e pjesëtarëve të saj”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se po synohet të minimizohen ndikimet negative në furnizim dhe shërbim, duke garantuar që situata të tilla të mos prekin më efektivitetin e përgjithshëm dhe performancën operacionale të personelit të FSK-së.
Shqetësimet e ngritura rreth furnizimit me ushqim të ushtarëve nxitën presidenten Vjosa Osmani, të ftojë të shtunën në takim komandantin Bekim Jasharin dhe ministrin Maqedonci.
Osmani për këtë çështje ka kërkuar raport të detajuar.
E nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, ka fajësuar qeverinë Kurti për problemet e ushqimit në FSK.
“Me u mundu të zgjidhësh problemin e ushtrisë me mensën e studentëve, është diçka krejt tjetër. E ka kthyer krejt prapë. Është një njeri që e ka kundërshtuar dhe 17 shkurtin, e ai sot po e izolon si kryeministër, po ia shkakton dhimbjen më të madhe. Një shtet pretendent për të hyrë në NATO, nuk po mundet t’ia garantojë fasulen ushtrisë”, është shprehur Haziri.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka njoftuar se me kërkesë të 43 deputetëve të hënën do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për problemin e furnizimit me ushqim për Ushtrinë e Kosovës.
Në këtë seancë do të synohet të votohet një rezolutë e cila obligon Qeverinë që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme për ushtarët e FSK-së.