LAJMET E MBRËMJES

Mantelbardhët kërkojnë Kontratë të re Kolektive

Përfaqësues të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë kanë shprehur shqetësimin dhe pakënaqësitë e punëtorëve shëndetësorë për mungesë të Kontratës Kolektive. Sipas tyre, shkëputja e saj ka dëmtuar profesionistët shëndetësorë. Ata akuzuan përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë edhe për mungesë të dialogut social

Mungesa prej dy vjetësh e Kontratës Kolektive ka dëmtuar dhe degraduar profesionistët shëndetësorë, kanë deklaruar të enjten përfaqësues të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, kryetarja e kësaj federate, Tevide Imeri, akuzoi Ministrinë e Shëndetësisë edhe për mungesë të dialogut social.

“Jemi të përjashtuar në çdo instancë, në çdo instancë. Duke filluar me Kontratën Kolektive, të cilën e kanë shkëputur njëanshëm, me premtimin në takim se do të startojmë menjëherë me kontratën e re. Ne nuk jemi pajtuar që të shkëputet, sepse ajo kontrata ka pasur pasuesin dhe duhet të vazhdojë kjo kontratë deri sa të nxirret e reja. Obligim ligjor e kanë me i nxjerrë çdo tre vjet kontratat. Arsyetimi ka qenë se po i ndërpresin të gjitha kontratat sektoriale kolektive për arsye se po bien ndesh me ligjin e pagave”, ka thënë Imeri.

E nënkryetari i Federatës, Blerim Delia, tha se në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë treguar vullnet për nënshkrimin e Kontratës së re Kolektive. 

“E kemi përgatitur draftin, e kemi finalizuar kontratën selektive sektoriale për të cilën po flasim. Kur ka ardhur puna për ta nënshkruar ministri, bashkë me kryetarë, ministri nuk e ka vullnetin... Ne e kemi dërguar në gjykatë, por gjykata po heziton qe dy vjet për një vendim”, ka thënë Delia.

Kontrata Kolektive e shkëputur dy vjet më parë përmbante disa benefite për punonjësit në sektorin e shëndetësisë. Ajo rregullonte themelimin e marrëdhënies së punës, përmbajtjen e kontratës së punës, orarin, pushimet, stazhin e punës e rrezikshmërinë në vendin e punës.

Pa Kontratë Kolektive janë edhe mësimdhënësit. Një ditë më parë edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka dorëzuar në Ministrinë e Arsimit një draft të Kontratës Kolektive duke kërkuar që ajo të nënshkruhet brenda muajit.